E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet kaseta që filmoi dy atentatorët e Tan Leprit

Hetuesit kanë mundur të bëjnë një identikit të mjegullt të personave që dyshohet se qëlluan ndaj Tan Leprit, pasi cilësia e filmimit nuk ka qenë në nivelin e duhur. Kamerat e sigurisë kanë filmuar një motor ngjyrë të errët me të cilin udhëtonin dy persona me skafandër në kokë

Tiranë Kamerat e sigurisë që dyshohet se kishin filmuar atentatorët e Dritan Avllajt, kanë dhënë disa elemente të pamjaftueshme për identifikimin e të dyshuarve për ngjarjen e 24 marsit. Tri ditë pas sekuestrimit të kamerave të një banke pranë Rrugës së Elbasanit, ku kishte kaluar motori me dy persona që qëlluan 9 herë ndaj Dritan Avllajt, i njohur ndryshe si Tan Lepri, grupi hetimor ka bërë këqyrjet e tyre. Sipas të dhënave të para, rezulton se në pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë, në një sekuencë fare të shkurtër, dallohet një motor dhe dy persona që udhëtojnë me të. Cilësia e kamerave, distanca e largët nga rruga ku ka kaluar motori, si dhe errësira, sipas ekspertëve, janë disa nga arsyet përse pamjet e filmuara nuk ofrojnë shumë elemente në ndihmë të hetimit. Momentalisht grupi hetimor thotë se të dhënat e përftuara janë vetëm ngjyra e motorit dhe dy personat që mbanin skafandër në kokë. Vetëm këto dy elemente janë shkëputur nga pamjet filmike, të cilat tregojnë një motor me ngjyrë të errët, por largësia e objektivit e bën gati të pamundur përcaktimin e modelit, apo dhe targës që mban motori me dy atentatorët. Duke qenë se ngjyra e motorit që arrihet të dallohet nga sekuencat e regjistruara është tepër e përhapur, hetuesit nuk kanë mundur të nxjerrin asnjë rezultat nga kjo e dhënë. Konkluzionet e arritura pas ekzaminimit të filmimeve të pakta, ka qenë një identitet i mjegullt i dy atentatorëve, ndërsa kamerat do të jenë pjesë e provave të mbledhura për këtë dosje, pavarësisht se të dhënat e ofruara nuk kanë ndonjë ndikim të madh në ecurinë e hetimeve të mëtejshme. Vetëm tri ditë më parë grupi hetimor sekuestroi kamerat e sigurisë së një banke në Rrugën e Elbasanit, ku fillimisht u dyshua se kishin kaluar dy personat që qëlluan mbi automjetin ku udhëtonte shtetasi Dritan Avllaj. Sekuestrimi i kamerave u krye pas informacioneve të marra në rrugë operative, se të dyshuarit, pasi kanë qëlluar ndaj automjetit ku udhëtonte Tan Lepri dhe shoferi i tij, pranë Tregut Elektrik, kanë ndjekur rrugën ‘Mihal Grameno’ për të kaluar në sens të kundërt në segmentin e Unazës që lidhet me Rrugën e Elbasanit. Nga hetimet e deritanishme nuk është bërë i mundur saktësimi i motiveve për ngjarjen që për pak i mori jetën Tan Leprit, personazh i njohur në kryeqytet për lidhjet e tij me politikën. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë ngritur disa pista hetimore, ku dy më të rëndësishmet lidhen me biznesin e ndërtimit dhe aktivitetin e biznesit që Tan Lepri ka në Kosovë. Fillimisht hetuesit thanë se atentati ndaj tij mund të jetë porositur nga Kosova, për shkak të konflikteve që mund të jenë krijuar gjatë kohës që Dritan Avllaj ka qëndruar në Prishtinë. Ky fakt është konfirmuar edhe nga aktiviteti i biznesit që Avllaj ka në Prishtinë, që sipas policisë mund të jetë pasuar nga ndonjë mosmarrëveshje. Ndërsa pista e dytë më e rëndësishme, që po hetohet aktualisht, ka të bëjë me biznesin e ndërtimit në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet përse grupi hetimor i ngritur për ngjarjen po heton tre atentatet e ndodhura gjatë ditëve të fundit në kryeqytet. Madje, dyshimet e para tregojnë se atentati ndaj Tan Leprit mbrëmjen e 24 marsit mund të ketë lidhje me shpërthimin e eksplozivit në makinën e një ndërtuesi pranë Gardës së Republikës, gjithashtu këto dy ngjarje mund të jenë të lidhura edhe me plagosjen e kreut të Inspektoriatit të Bashkisë, Ardit Kaja, ngjarje e ndodhur në fillim të kësaj jave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›