E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtia e skrapit me Shqipërinë, 11 kompani italiane nën hetim

Sipas policisë financiare italiane, kompanitë dyshohet se janë pjesë e një skeme mashtrimi, që kishte si objekt shitjen e hekurit të ricikluar, ndërsa në të vërtetë skrapi shitej i pa ricikluar, duke përfituar edhe subvension nga qeveria

Karabinierët dhe policia financiare italiane ka nisur një hetim për 11 kompani italiane dhe dy persona të cilët dyshohen se bënin pjesë në një skemë mashtrimi financiar me shitjen e skrapit, ku pjesë e lojës ishte dhe Shqipëria, Turqia dhe Greqia. Sipas hetimeve, rezulton se kamionët e ngarkuar me materiale hekuri të ardhur nga aktivitete të ndryshme, si autodemoluesit dhe prurësit ambulantë të hekurit, hynin në impiantet e kompanive të sekuestruara tashmë me dokumente të cilat përshkruanin hyrjen e mbetjeve të hekurit të gjenerueshme. Më pas, të njëjtët kamionë dilnin nga të njëjtat impiante të këtyre kompanive, pa u bërë asnjë ndërhyrje në impiant, por me dokumentet të cilat e përshkruanin mallin në kamiona si “mbetje hekuri të trajtuara”. Operacioni quhet “Emelie” dhe ka marrë emrin nga anija e cila u kap me këto mbetje të patrajtuara, ndërsa i ishte drejtuar Shqipërisë në vitin 2009. Sipas hetimeve të bëra nga pala italiane, pasi mbërrinte në Shqipëri, anija shkarkohej dhe më pas ngarkesa në kamionë shpërndahej për në tregun turk, grek dhe shqiptar, kryesisht në kompanitë e përpunimit të hekurit. Nga ana e tyre kompanitë e sekuestruara italiane përfitonin nga rimbursimet e akorduara nga shteti italian për industrinë e riciklimit, ndërsa partnerët e huaj që blinin hekurin e paricikluar në Shqipëri, Turqi dhe Greqi përfitonin nga përpunimi i kësaj sasie të madhe skrapi. Hetuesit italianë kanë përllogaritur se fitimet e kësaj skeme mashtruese kapin shifrën e 800 mijë eurove fitim të paligjshëm, nga secila kompani çdo vit. Hetuesit italianë kanë përcaktuar se kompanitë e ushtronin këtë skemë mashtrimi prej 11 vitesh dhe vetëm në vitin 2008 kanë nisur hetimet, ndërsa në vitin 2009 karabinierët italianë sekuestruan anijen “Emelie”, e cila ishte nisur drejt portit të Durrësit në Shqipëri. Të 11 kompanitë italiane, tashmë të sekuestruara, e ushtronin aktivitetin e tyre në rajonet Chieti Scalo, Montesilvano (Pescara) dhe Fermo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›