Raporti i DASH piketon drejtësinë: më të korruptuarit
Zgjedhjet të mira, por PS-ja bojkotoi Kuvendin. Qeveria ka bërë përpjekje, por korrupsioni mbetet i lartë. Mbi mediat është ushtruar presion.
Zgjedhje të mira, përpjekje antikorrupsion të qeverisë të penguara nga imuniteti i zyrtarëve, korrupsion rrënjëthellë në drejtësi dhe mjekësi. Kaq mund të ishin të shkurtuara në thelb përfundimet e Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut. Raporti citon gjithashtu edhe probleme të lirisë së shtypit, duke përmendur se megjithëse media është përgjithësisht e lirë, ka patur tendenca presioni ose vetëcensure të gazetarëve. Megjithëse sipas raportit “Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, trysnitë politike, shantazhet, korrupsion i zgjeruar dhe mjetet e pakta nganjëherë e penguan këtë”. Gjithashtu, duke përmendur emërimet në drejtësi, raporti thekson se “Emërimet në Gjykatën e lartë dhe Kushtetuese minojnë pavarësinë dhe integritetin e këtyre gjykatave”... Më tej, duke vazhduar me shtjellimin e sistemit të drejtësisë, përmendet se “Seancat për gjyqin e Gërdecit u shtynë 77 herë; në shumicën e rasteve për shkak të mosparaqitjes së avokatëve mbrojtës apo edhe të gjykatësve”. Raporti i jep drejtësisë notën më të ulët, duke cituar se “Gjyqësori ka probleme serioze me pavarësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë”. Sipas raportit të DASH, “Në mjekësi kirurgët dhe mjekë të tjerë u paditën për korrupsion dhe oficerë policie u arrestuan për korrupsion dhe abuzime, për shkak të pranimit të ryshfeteve. Gjithashtu, u paditën doganierë e biznesmenë për korrupsion dhe kontrabandë, duke kaluar kufijtë pa paguar taksat doganore”. Në raport ka njëfarë çlirimi të qeverisë, pasi “Qeveria ndoqi ligjërisht zyrtarët e korruptuar dhe menaxhoi ankimimet për policët e korruptuar, përmes Avokatit të Popullit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë Shqiptare. Sidoqoftë, të penguar nga imunitetet e gjykatësve, deputetëve dhe të tjerëve zyrtarë të lartë, qeveria nuk arriti të parandalojë korrupsionin e nivelit të lartë”. Raporti i mëshon faktit se, pavarësisht arrestimeve të zyrtarëve të lartë lokalë dhe qendrorë, “korrupsioni mbeti një pengesë e madhe për reformat”. Citohet edhe një sondazh ku 91.8 për qind e të pyeturve mendojnë se korrupsioni është ‘shumë i përhapur’ ose ‘deri diku i përhapur’. Të pyeturit, vazhdon raporti i DASH duke iu referuar sondazhit, thanë se zyrtarët e doganave, tatimeve si dhe mjekët ishin më të korruptuarit. Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin e përvitshëm për të drejtat e njeriut në 194 vende të botës. Raporti jep një vështrim të përgjithshëm të gjendjes së këtyre të drejtave në secilin vend gjatë vitit 2010. Në pjesën për Shqipërinë, raporti përmend zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 dhe thotë se ato u përshkruan nga OSBE dhe ODIHR-i si të tilla që shënuan përparim në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por pa i realizuar plotësisht angazhimet e OSBE-së. Megjithëse Partia Socialiste votoi për certifikimin e zgjedhjeve si të ligjshme dhe përfundimtare, thuhet në raport, ajo filloi bojkotimin e Parlamentit, duke kërkuar hetimin e zgjedhjeve. Lidhur me aspektet e tjera, në raport thuhet se korrupsioni në polici vazhdoi, ndërkohë që korrupsioni qeveritar mbeti një problem serioz dhe i pazgjidhur. Edhe trafikimi i personave mbeti problem, thuhet në raport. Kushtetuta, thotë raporti i Departamentit të Shtetit, flet për një gjyqësor të pavarur, por trysnia politike, frikësimet, korrupsioni i përhapur dhe mjetet e kufizuara disa herë e kanë penguar gjyqësorin të funksionojë si i pavarur. Për median, raporti përmend se ka patur njoftime që flasin për trysni të qeverisë dhe bizneseve mbi median.
PIKAT
Zgjedhjet:
-OSBE/ODHIR i përshkruan si progres krahasuar me zgjedhjet e kaluara, por pa i përmbushur plotësisht kushtet e OSBE-së.
-Megjithëse PS-ja votoi për të certifikuar zgjedhjet si ligjore, filloi bojkotimin e Parlamentit në shtator 2009, duke kërkuar hetim të zgjedhjeve.
Të drejtat e njeriut
-Nuk ka patur raporte të keqtrajtimit të të arrestuarve gjatë hetimeve dhe paraburgimit.
-Diskriminimi kundër grave, fëmijëve, homoseksualëve dhe pakicave ishin problematike. Gjithashtu edhet trafiku i njerëzve.
-Nuk ka patur raporte se qeveria apo zyrtarët e saj kanë kryer vrasje arbitrare apo të paligjshme. Vrasja e dy figurave politike, deputetit socialist Fatmir Xhindi dhe një aktivisti socialdemokrat, Aleks Keka, janë vrasje nën hetim ende të pazbardhura.
-Nuk ka patur raporte të zhdukjeve me motive politike
Policia
-Korrupsioni i policisë dhe pandëshkueshmëria ka vijuar.
-Oficerët e policisë nuk e zbatuan ligjin në mënyrë të barabartë dhe lidhjet politike ose kriminale shpesh ndikuan zbatimin e ligjit.
-Pagat e vogla ndikuan në korrupsion dhe sjellje joprofesionale.
Drejtësia
-Seancat për gjyqin e Gërdecit u shtynë 77 herë; në shumicën e rasteve për shkak të mosshfaqjes së avokatëve mbrojtës, apo edhe të gjykatësve.
-Kushtetuta parashikon një gjyqësor të pavarur, por trysnitë politike, shantazhet, korrupsioni i gjerë dhe mjetet e pakta e penguan këtë.
-Emërimet në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese minojnë pavarësinë dhe integritetin e këtyre gjykatave.
-Gjyqësori ka probleme serioze me pavarësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë.
-Prokurori i Përgjithshëm nuk bëri përpjekje për të hequr imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në lidhje me shpërthimin në Gërdec.
Media
-Ka patur raporte se qeveria dhe bizneset ndikuan dhe ushtruan trysni mbi median.
-Individët mund ta kritikojnë lirisht dhe publikisht qeverinë, pa pasoja, megjithatë ka patur disa përjashtime.
-Disa media raportuan se po i nënshtroheshin inspektimeve selektive nga tatimet për shkak të linjës së tyre editoriale.
-Dy të përditshme, ‘Tema’ dhe ‘Korrieri’, u mbyllën në pranverë, pasi morën gjoba prej 20 milionë lekësh dhe 22 milionë lekësh respektivisht. Të përditshmet thanë se qeveria i gjobiti për shkak të mungesës së dokumentacionit, që tregonte se ato kishin shkatërruar kopjet e pashitura. ‘Tema’ u mbyll dhe iu kthye publikimit.
-Media ishte aktive dhe kryesisht e pakufizuar, megjithatë ka patur raste të trysnisë direkte ose indirekte politike, përfshirë kërcënime kundër gazetarëve.
-Emisioni satirik-investigativ ‘Fiks fare’ në televizioni kryesor ‘Top Channel’ çoi në shkarkimin dhe paditjen e zyrtarëve të korruptuar.
-Nuk ka patur padi kundër gazetarëve. Sidoqoftë dy media, ‘Shekulli’ dhe ‘Vizon Plus’ paditën Kryeministrin në dhjetor për deklarata publike kundër tyre. Gjykata e Lartë vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme kundër Kryeministrit.
-Gazetarët ankohen për censurë dhe se nuk kanë kontrata pune.
Korrupsioni
-Pavarësisht disa arrestimeve të zyrtarëve të lartë lokalë dhe qendrorë, korrupsioni qeveritar mbeti një pengesë e madhe për reforma.
-Sipas një sondazhi, 91.8 për qind e të pyeturve mendojnë se korrupsioni është i përhapur ose deri diku i përhapur.
-Të pyeturit thanë se zyrtarët e doganave dhe tatimeve si dhe mjekët ishin më të korruptuarit.
-Qeveria ndoqi ligjërisht zyrtarët e korruptuar dhe menaxhoi ankimimet për policët e korruptuar përmes Avokatit të Popullit dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit. Sidoqoftë, të penguar nga imunitetet e gjykatësve, deputetëve dhe të tjerëve zyrtarëve të lartë, qeveria nuk arriti të parandalojë korrupsionin e nivelit të lartë.
-Në mjekësi, kirurgë dhe mjekë të tjerë u paditën për korrupsion.
-Gjithashtu, u paditën doganierë e biznesmenë për korrupsion dhe kontrabandë, duke kaluar kufijtë pa paguar taksat doganore.
-Autoritete arrestuan 3 inspektorë të Ministrisë së Ekonomisë, për ryshfete që shkonin në 100 mijë dollarë.