E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beçaj, pro mbledhjes së Konferencës Gjyqësore

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, ka shprehur për herë të parë opinionin personal për Konferencën Gjyqësore. "Unë jam e mendimit se mungesa e një ligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare nuk e ndalon vetorganizimin e mbledhjes së përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të republikës për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së", tha Beçaj, ndërsa vazhdoi se përgjegjësia për moszbatimin e Kushtetutës e kanë të gjithë gjyqtarët e të tre niveleve të pushtetit gjyqësor shqiptar, të cilët, në tërësinë e tyre, përbëjnë Konferencën Gjyqësore Kombëtare. Në lidhje me mundësinë e thirrjes së Konferencës, Beçaj tha se ka tre argumente juridike kryesore për mundësinë e thirrjes. E para, është pavarësia e pushtetit gjyqësor dhe gjyqtarëve. "Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Konferenca ka një përgjegjësi dhe detyrim për vetëmbledhje dhe vetorganizim më të lartë se ato që burojnë nga një ligj organik ose i zakonshëm", tha kryegjyqtarja, duke dalë në konkluzionin se Gjykata Kushtetuese, si organi i vetëm që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, e cilëson Konferencën Gjyqësore Kombëtare si organizëm vetërregullues dhe kompetencën e saj kushtetuese të zbatueshme drejtpërdrejti. "Për këto arsye, mendoj se Konferenca i ka të gjitha target kushtetuese për vetëmbledhjen e vetërregullimin e saj dhe zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së edhe në kushtet e mungesës së ligjit", theksoi Beçaj. Ajo propozoi se nga kjo mbledhje e përgjithshme e gjyqtarëve të krijohet një grup organizator për thirrjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e katër anëtarëve të KLD-së, për plotësimin e vendeve vakante në atë këshill.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›