E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Vendorët socialistë të negociojnë me Berishën dhe Boden

Numri dy i qeverisë shqiptare, Ilir Meta, u sugjeroi krerëve vendorë të PS-së që të kërkojnë negociata me Kryeministrin dhe ministrin e Financave në vend të protestave. Rruga e zgjedhur, sipas tij, duhet të ishte ajo e diskutimeve, dialogut me Kryeministrin dhe ministrin e Financave dhe jo protestat që cenojnë edhe qytetarët. Zv/kryeministri, njëherësh edhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje nga Durrësi se opozita është i vetmi institucion në krizë që ka humbur logjikën demokratike dhe orientimin politik. Meta vlerësoi se çështja e zgjedhjeve është e mbyllur dhe komisionet hetimore parlamentare nuk mund të venë në pikëpyetje vendimet e gjykatave. "Në vend të protestave duhet të zgjedhë rrugën e dialogut konstruktiv, që ndihmon në forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e standardeve sa më të larta për zgjedhjet e ardhshme", vijoi ministri i Jashtëm. Meta tha se kërkesa e lidershipit socialist është një kërkesë anti-integrim, një kërkesë absurde, të cilën nuk e përkrah askush. Ai është ndalur gjatë në tensionin e krijuar si rezultat i protestave të opozitës, duke e quajtur atë një tension artificial dhe që nuk ekziston realisht mes qytetarëve shqiptarë, ndërsa është humbje e kotë energjish. I pyetur për sulmet mbi jetën private të liderit Rama, Meta deklaroi se është kundër cenimit të jetës private të kujtdo. "Qeveria është e angazhuar për ta përballuar këtë moment historik që po kalon vendi dhe ka të bëjë dhe me ngritjen e kapaciteteve të duhura. Ne jemi shumë të hapur për përfshirjen e opozitës në këtë proces kaq të rëndësishëm. Qëndrimi i saj është krejt i dëshpëruar, ndërsa kapitulli i zgjedhjeve të 28 qershorit është një kapitull i mbyllur njëherë e mirë për të gjithë", deklaroi numri dy i ekzekutivit shqiptar gjatë pushimit mes dy seancave të takimit të nivelit të lartë me kryenegociatorin kroat, Vladimir Drobnjak, dhe stafin e tij. Ai e ka theksuar shumë herë fjalën absurde, duke iu referuar rolit aktual të opozitës në jetën e vendit. "Një kapriço absurde që nuk mbështetet as në argumente morale, për sa kohë që ka pasur barazi mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së në komisione", tha ai, ndërsa e quajti një histori të mbyllur atë të zgjedhjeve të verës së kaluar. Pavarësisht shtrirjes së protestave opozitare, Meta u ndal edhe te pretendimet e kryebashkiakut të Tiranës dhe krerëve të tjerë lokalë për decentralizimin e pushtetit vendor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›