Grinden për lojën e kompjuterit, thika një 24-vjeçari
Një sherr banal për lojën e kompjuterit, për pak i ka marrë jetën një 24-vjeçari korçar. Autori është prangosur pak minuta më pas, ndërsa i plagosuri ndodhet në gjendje kritike për jetën në spitalin e Korçës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 14:25 të së shtunës, në një nga pikat e lojërave të fatit, që ndodhen në afërsi të tregut valutor të qytetit juglindor. Burimet policore që kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për këtë rast, kanë sqaruar për "Shqip" se tre të rinj nga qyteti i Korçës janë grindur mes tyre për një lojë në kompjuter, në një pikë lojërash fati. Sherri i nisur me fjalë, ka degjeneruar në përplasje fizike, derisa një 20-vjeçar ka qëlluar dy herë me thikë Novertin Tërpollarin, 24 vjeç. Burimet e policisë lokale kanë bërë të ditur se i dëmtuari ka qenë bashkë me të vëllain, Altin Tërpollarin, duke luajtur në një nga kompjuterët që ndodheshin në sallë, kur autori Bledar Kocanji i ka kërkuar me forcë 24-vjeçarit të largohet dhe ta lerë në mes lojën. Kërkesa nuk është pranuar nga Tërpollari dhe mes dy vëllezërve dhe Bledar Kocanjit, banues në Lagjen 8 të Korçës, ka nisur një sherr me sharje dhe fyerje reciproke, të cilat janë pasuar nga përplasja fizike. Mësohet se në grindje e sipër me dy vëllezërit, 20-vjeçari ka goditur dy herë me një thikë që mbante me vete 24- vjeçarin Novertin Tërpollari. I riu është qëlluar një herë pas shpine, ndërkohë që kur është ngritur ka marrë edhe një plagë tjetër në këmbë. Ai është transportuar në gjendje kritike për jetën drejt spitalit rajonal të qytetit nga dëshmitarët që janë gjendur në vendin e ngjarjes. Ndërkaq, autori ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është kapur nga ana e policisë në kushtet e flagrancës dhe është bërë ndalimi i tij. Uniformat blu në momentin e arrestimit kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe armën e ftohtë me të cilën është kryer plagosja. Ndaj Bledar Kocanjit rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë, ndërkohë që materialet i kaluan organeve kompetente për hetime të mëtejshme.
J.Dhimitri
J.Dhimitri