E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bechtel & Enka”, gati për nisjen e autostradës

Kompania fituese e tenderit “Bechtel & Enka” ka sjellë të dielën në Kosovë mbi 30 makineri ndërtimi, në kuadër të fazës së parë të mobilizimit të mjeteve për autostradën Morinë-Merdare, ndërtimi i së cilës do të fillojë më 25 prill.

Menaxheri Erhan Nazim Balci nga “Bechtel Enka”, ka bërë të ditur se mbi 30 makineri të rënda ndërtimi janë vendosur sot në rajonin e Prizrenit, në përgatitje për nisjen e punimeve në autostradë, për të cilën do të përdoren mbi 1100 makineri ndërtimi.

Shpejtësia e projektuar përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës është 120 km në orë, ndërsa aty ku karakteristikat e lejes mjedisore lejojnë, është gjithashtu e mundshme të miratohet një shpejtësi e projektit prej 140 km në orë. Autostrada do të jetë e sistemit të mbyllur, hyrje-daljet vetëm në kyçjet e autostradës. Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, ku do të jenë 4 shirita qarkullues me nga 3.75 metra, 2 shirita për ngadalësim me nga 3.0 metra, si dhe brezi i gjelbër në mes në gjerësi prej 4 metrash.

Autostrada do të ketë mbikalime, nënkalime dhe të gjitha pajisjet e rrugës ku përfshihen sinjalizimi dinamik, sistemet e komunikimit, ndriçimin në udhëkryqe dhe barrierat kundër zhurmës.

Periudha e defekteve është 18 muaj në Kosovë, ndërsa periudha e garancisë është 6 vjet. Ndërtimi i projektit madhor të autostradës Morinë-Merdare do të nisë më 25 prill, në ora 13.00.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›