E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdesin foshnjat

Neonatologët thonë se në bazë të analizave statistikore rreth 20 për qind të foshnjave vdesin në botë për shkak të anomalive kongjenitale. Sipas tyre, shkaktar kryesor i këtyre anomalive rezultojnë infeksionet, por janë edhe sëmundjet e trashëguara gjenetike.

Mynevere Hoxha, shefe e njësisë së Neonatologjisë në Klinikën Gjinekologjike dhe Obstetrike në Prishtinë, ka thënë për Kosovapress, se defektet e lindura janë probleme, të cilat ndodhin derisa foshnja është duke u zhvilluar në mitrën e nënës, si dhe shumica e defekteve ndodhin në tre muajt e parë të shtatzënisë. Ajo thekson se shumica e foshnjave lindin të shëndosha, mirëpo rreth tre apo katër në 100 foshnje janë me ndonjë lloj të defektit të lindur.

Sipas saj, një defekt i lindur mund të atakojë pamjen fizike të foshnjës, funksionin ose të dyja. Arsyet pse ndodhin anomalitë kongjenitale, sipas Hoxhës, janë për shkak të faktorëve të ambientit dhe faktorëve gjenetik, por shpeshherë shkaqet mund të jenë edhe të panjohura.

Sa i përket shpeshtësisë së paraqitjes, neonatologia Hoxha, thekson se nuk kanë ndonjë shifër të saktë, pasi që disa nga anomalitë të cilat i takojnë më së shumti si Sindroma Daun ose defekte të tubit neutral, paraqiten çdo vit thuajse në të njëjtin numër. Po ashtu edhe anomalitë e zemrës janë prezente si edhe kudo në botë.

Mirëpo sa i përket vdekshmërisë, anomalitë kongjenitale marrin pjesë me rreth 20 për qind, nga të gjithë shkaktarët e vdekjeve të foshnjave të porsalindura, që sipas mjekes kjo përkon me të dhënat nga vendet tjera.

“Diku parashihet që rreth 20 për qind të foshnjave vdesin për shkak të anomalive kongjenitale, ndërsa në klinikën tonë nga analizat e vitit të kaluar kemi 18 për qind të foshnjave që vdesin nga shkaku i anomalive kongjenitale”, ka thënë Hoxha.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›