E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkencë mbarëshqiptare

Studentët e Fakulteteve të Mjekësisë në Prishtinë, Tiranë dhe Tetovë kanë njoftuar se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e Kongresit të II shkencor në fushën e mjekësisë.

Në një konferencë të përbashkëte të studentëve të tri universiteteve të mbajtur në Shkup të dielen është njoftuar se përgatitjet kanë përfunduar dhe të gjitha punimet e studentëve janë në vlerësim.

Besart Merovci, Nënkryetari i organizatës KISCOM ka dhënë detajet e organizmit të Kongresit të Dytë shkencor.

“Ky projekt përfaqëson një traditë në vazhdim të Kongresit të I-re Ndërkombëtar të Studentëve për Shkenca Mjekësore-Kosova 2008, të mbajtur në 28 maj-01 qershor 2008 në Prishtine dhe të mbështetur fuqishëm nga Institucionet shtetërore, arsimore dhe shëndetësore të Republikës së Kosovës, si dhe nga organizma të respektuar ndërkombëtar, si zyra e USAID-it dhe OBSH”, ka thënë Merovci, të dielën.

Sipas organizatorëve Kongresi i II Ndërkombëtarë i shkencave mjekësore do të mbahet në Tiranë nga data 31 maj deri më 04 Qershor 2010, nën patronatin e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Zamira Kalemaj, udhëheqëse e Projektit, ka thënë dhënë arsyet pse është duke u mbajtur Kongresi i dytë i Studentëve shqiptarë të Mjekësisë.

“Bashkimin e studentëve shqiptarë të cilët studiojnë për shkenca mjekësore në një organizim të vetëm me karakter ndërkombëtar shkencor, si dhe ndikimin në mënyrë të drejtpërdrejtë tek studentët e të gjitha trevave shqiptare që studiojnë shkencat mjekësore, që tek ata të krijohet një shprehi e mirë e punës për aktivitete dhe projekte shkencore”, ka thënë ajo.

Ndryshe, Behar Ismajli ka dhënë detajet e organizmit studentorë, ku do të marrin pjesë studentët të mjekësisë nga shumë vende të ndryshme të botës.

“Gjatë ditëve, sa do të zgjasë kongresi, do të prezantohen mbi 130 tema, nga lëmi të ndryshme të shkencave mjekësore nga shumë shtete Evropiane dhe Botërore si: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, SHBA, Austri, Spanje, Sri Lanke, Poloni, Itali, Greqi, Gjeorgji, Izrael, Bosnje, Turqi, Ukraina’, ka thënë ai.

Temat, të cilat do të prezantohen, mbi 90 prej tyre janë në Mjekësi te Përgjithshme, 20 Stomatologji dhe të tjerat në drejtime si Infermieri, Mami Ftiziatri etj.

Në kuadër të kongresit do të ketë edhe seminare ndërkombëtare, Një Seminar nga Layde Academy, e cila funksionon në kuadër të Leyden University, Universiteti më i vjetër në Holandë, i themeluar në vitin 1575 dhe të cilët do të ligjërojnë mbi temën: e ardhmja e mjekësisë, në rolin e plakjes, si dhe seminari ndërkombëtar i HIV/AIDS.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›