Të përndjekurit, qeveria shtyn dëmshpërblimin
Financat: Me propozimin e ardhur, zbatimi i ligjit shtyhet në kohë dhe, e dyta, ka kosto suplementare të papërballueshme për buxhetin e shtetit
PD-ja kthen nismën ligjore, e cila zgjeron rrethin e familjarëve që duhet të dëmshpërblehen
TIRANË- Pavarësisht se njihet si përfaqësuese e interesave edhe të kategorisë sociale të ish-të përndjekurve politikë, mazhoranca e djathtë ka kthyer mbrapsht nismën ligjore të deputetit të Shkodrës Astrit Bushati, që synon të krijojë bazën ligjore për të dëmshpërblyer edhe të gjithë familjarët e atyre të dënuarve që nuk kanë lënë trashëgimtar apo që, për shkak të vuajtjes së gjatë, nuk kanë mundur dot të krijojnë familje.
Shkak është bërë pikërisht fatura e madhe financiare, me të cilën ngarkohet ligji ekzistues, në rast se listës së subjekteve që kanë të drejtë dëmshpërblimi i shtojmë edhe këtë kategori.
Si Ministria e Drejtësisë, ashtu edhe ajo e Financave, kanë kundërshtuar projektin, me argumentin se ai do të sillte ndërprerjen e zbatimit të ligjit aktual dhe do të krijonte një kosto ekstra të papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Për këto arsye, Komisioni ka vendosur t'ia kthejë për shqyrtim qeverisë. Sipas ligjit, propozimet që vijnë nga deputetët dhe që kanë faturë financiare, duhet të miratohen në mbledhje qeverie.
Bushati
Nismëtari i këtij projektligji, Astrit Bushatit, duke prezantuar projektligjin për disa ndryshime në ligjin bazë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, ka theksuar se do të ishte krejt normale që listës së subjekteve që përfitojnë nga ky ligj, t'u shtohen edhe familjarët, nipërit dhe mbesat e atij të dënuari që, për shkaqe të vuajtjes së dënimit apo për arsye të tjera, nuk është kanë arritur të krijojnë familje apo nuk ka lënë fëmijë. Gjithashtu, Bushati ka shpjeguar se synim i kësaj nisme ligjore është edhe ndryshimi i afateve të dorëzimit të dokumentacionit pranë Ministrisë së Drejtësisë për vërtetimin e dënimit, pasi, sipas tij, për shkak të burokracive, një numër i konsiderueshëm të burgosurish politikë nuk kanë arritur që të plotësojnë në kohë dokumentacionin, duke mbetur jashtë procesit. Për këtë arsye, ai ka propozuar shtyrjen e këtij afati deri më 1 korrik të këtij viti. Ndërkohë që, relatori Xhovalin Prenga, megjithëse ka mbështetur nismën, ka sugjeruar që ky rast të shfrytëzohet për të reflektuar në ligj të gjitha zgjidhjet për defektet që janë vënë re gjatë zbatimit të deritanishëm të tij.
Ekzekutivi
Pavarësisht dëshirës së mirë të deputetit nismëtar dhe relatorit të projektligjit për përfshirjen edhe të kësaj kategorie në subjektet që kanë të drejtë të përfitojnë nga ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, ekzekutivi, me anë të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave, është shprehur kundra një ndërhyrjeje të tillë. Përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhafellari, e ka kundërshtuar nismën në aspektin ligjor, pasi, sipas saj, ndërhyrja e propozuar sjell si domosdoshmëri dhe rishikimin e një sërë nenesh të tjera dhe të afateve që parashikon ligji për një sërë procesesh, siç është depozitimi i kërkesave, shqyrtimi i tyre, përgatitja e listës që do t'i paraqitet qeverisë për miratim, apo dhe përcaktimi i faturës financiare. Për këtë arsye, ajo ka kërkuar që në rast se legjislativi e sheh të arsyeshme të ndërhyjë në ligj, duhet të rishikojë dhe një sërë aspektesh të tjera problematike që kanë dalë nga zbatimi i ligjit në praktikë. Akoma më e prerë në këtë drejtim ka qenë drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhembi, e cila ka kundërshtuar miratimin e një nisme të tillë, pasi, sipas saj, zgjerimi i rrjetit të përfituesve nga rrethi i parë i familjarëve në rrethin e tretë, do të sillte dhe një kosto suplementare të ligjit. Vetëm për pjesën e evidentuar, deri më tani, - ka theksuar Dhembi, - parashikohet një mesatare dëmshpërblimi prej rreth 5 deri në 6 milionë lekë, në një kohë që numri i aplikantëve ka mbërritur në shifra tepër të larta. Një tjetër shqetësim i ngritur nga Ministria e Financave ka qenë edhe fakti se miratimi i këtij ndryshimi do të bënte që të dështonte procesi i deritanishëm i aplikimeve, për ta rinisur atë nga e para. Kjo, sipas Dhëmbit, do të kërkonte dhe një vit tjetër kohë. Ndërkohë që, një shtyrje tillë, sipas saj, do të rrezikonte dhe djegien e fondit prej 2 miliardë lekësh, që qeveria ka vënë në dispozicion për këtë çështje në buxhetin e 2009-ës. Bazuar edhe në shqetësimet e ngritura nga dy përfaqësueset e ekzekutivit, deputetët e djathtë (deputetët e opozitës kanë qenë dakord me ndryshimin) kanë vendosur ta çojnë projektligjin për diskutim në qeveri, me qëllim rishikimin e ligjit ekzistues në tërësinë e vet.