Dashuria ime 5-vjeçare
Ndryshe nga Don Zhuani që shfaqet në skenë, ai nuk e ka dhe aq të lehtë të flasë për femrat. Pa e kuptuar zbulon një djalë të druajtur, sytë blu të të cilit turbullohen aty për aty. Aq më tepër në momentet, ku ende nuk ka dalë nga petkat e një karakteri tejet të ndjeshëm, në kërkim të dashurisë. Megjithatë, kjo situatë aspak komode shkrihet, duke e përfshirë gjithnjë e më tepër, derisa rrëfimi rrjedh lirshëm. I dyzuar mes personazhit në skenë dhe djaloshit në jetë, Luzim Zeqja tregon mbi marrëdhëniet e tij me femrat që e rrethojnë, koleget, historinë e tij disavjeçare të dashurisë, si dhe përjetimet me personazhet e ndryshme. Para pak muajsh ishte “Playboy”, i rrethuar nga femrat, ndërsa tanimë profili i tij ka ndryshuar kryekëput edhe pse femrat nuk i mungojnë. Madje nën zhgunin e Xhulios, personazhit më të ri tek pjesa “Më e vërtetë se e vërteta”, nuk mungojnë as skenat e nxehta, por sërish ai ndihet vetëm. Kërkon më shumë sesa një marrëdhënie mishtore. “Personazhi im, Xhulio është i realizuar në karrierë, ka sukses me femrat, por gjithsesi ndjen një boshllëk të madh për sa i përket ndjenjave. Ai nuk është pragmatist, i jep rëndësi shpirtit, ndaj dhe kërkon me çdo kusht të provojë ndjenja të vërteta”, pohon 32-vjeçari, duke hequr paralele me djaloshin jashtë skene. “Në këtë pikë ngjasojmë me njëri-tjetrin, pasi prioritet në jetën time janë ndjenjat, çka deri më tani ka funksionuar më së miri. Jo vetëm në raportet me njerëzit, por edhe një punë që nuk më ngjall emocione fillimisht është e pamundur ta çoj përpara. Thellë brenda vetes gjithsecili është në kërkim të emocioneve, pak rëndësi ka nëse realizohen ose jo”, shprehet aktori. Shpesh mjafton një gënjeshtër e bukur, të jetë më e besueshme sesa e vërteta, edhe kur e dashura është një robot RC 222, me një ‘menu speciale’ për dashurinë. Apo më tej kur emocionet që merr prej saj, mund t’i gjesh fare lehtë te humanët rreth e rrotull. Aktori nuk ka ndonjë model të prerë me thikë, ku përmasat dhe tiparet fizike të jenë kusht në vetvete. Ajo çka ka përparësi për të, është sinqeriteti, çiltërsia si dhe mbi të gjitha ëmbëlsia tek një femër. Pranon se kërkon modelin e nënës dhe ëmbëlsinë, ngrohtësinë që kjo e fundit i ka dhënë, e kërkon tek femra përkrah. Djaloshi përtej skenës, nuk ndjen asnjë boshllëk, dhe nuk ka qoftë edhe lidhjen më të vogël me aventurierin që ndërron 25 femra në javë. Përkundrazi! Eksperiencat që i ka sjellë jeta, ngjasojnë me ato të djemve të zakonshëm që hasim ngado. Por edhe nga to kanë mbetur kujtime të zbehta, pasi prej pesë vitesh ai po përjeton dashurinë me një vajzë. “Kam një raport të qëndrueshëm, çka më mbush shpirtërisht për të ecur përpara. Kësisoj nuk jam as i frikësuar nga ndjenjat, as në kërkim të tyre, megjithëse secili prej nesh vendos shpesh një koracë se i trembet së vërtetës”, shprehet Zeqja. Ndërkaq, përpos qëndrueshmërisë në jetën private, në skenë është rrethuar gjithnjë nga partnere femra, si pakkush tjetër. Mes tyre më e fundit është aktorja Luli Bitri, e cila interpreton robotin Kloe. Puthje pasionante, skena të nxehta, të cilat Zeqja shprehet se i ka realizuar falë bashkëpunimit dhe çlirësisë së koleges së tij. Teksa flet për shfaqjen më të fundit, nëpër mend i rikthehet çaku i parë tek telenovela “Njerëz dhe fate”, për të vijuar me një eksperiencë të pasuar nga një sërë rolesh në filmat e prodhuar vitet e fundit. Nuk e harron vitin 2001 kur u bë pjesë e filmit të Minarollit “Nata pa hënë”, më tej “Letra ere” e Budinës, “Eduard” e së fundmi tek produksioni i Xhuvanit “Lindje - Perëndim -Lindje”, si dhe një sërë rolesh në teatër. Megjithatë në çdo moment, shprehet se fati është faktori kryesor në karrierën e tij, të tjerat janë komponentë plotësues. Të tillë e përkufizon edhe eksperiencën disavjeçare në Itali, me disa shfaqje si dhe shpërfaqjen tek seriali “La squadra” për RAI 3. Por një fatkeqësi familjare, e detyroi të kthehej pa parë më prapa. Megjithatë nuk ka pengje, pasi e ardhmja në Itali nuk ishte dhe aq premtuese. Mund të luante dy pjesë në vit, aty këtu ndonjë rol shqiptari ose krimineli, çka nuk ishin synimet që i kishte vënë vetes. “Këtu ndihem i pakufizuar në rolet dhe përzgjedhjet. Deri më tani ndjehem me shumë fat, edhe pse ka shumë për të bërë”.