Lista e të arrestuarve që tentuan futjen në ambasada
TIRANE- Më 26 korrik 1990, pak më shumë se tri javë nga ngjarjet, nga ambasadat e huaja në Tiranë, policia ka shmangur me dhunë një tjetër “pushtim” të këtyre përfaqësive të huaja nga njerëz të ardhur nga të gjitha rrethet e vendit. Policia, që ka pasur dijeni për këtë zhvillim, ka bllokuar në kohë rrugët hyrëse për në Tiranë, sidomos stacionin e trenit, duke ndaluar dhe arrestuar të gjithë të rinjtë e të rejat që u janë dukur të dyshimtë. Kjo ngjarje pasqyrohet saktësisht në një dokument të ruajtur në Arkivin e Shtetit, që është një listë dërguar Sekretarit të KQ të PPSH-së Foto çami nga Qemal Lame, Kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme dhe që mban datën 2 gusht 1990. Përmbajtja e fletës zyrtare shoqëruese thotë: “Bashkëlidhur ju dërgojmë një listë të personave të ndaluar dhe të arrestuar për shkak se, më datën 26.07.1990 kanë dashur të hyjnë në ambasadat e huaja në Tiranë, si dhe për grumbullim të paligjshëm”.
Lista me mbishkrimin “sekret” mban datën 1 gusht 1990 dhe pasqyron numrin e të ndaluarve e të arrestuarve për çdo rreth, ku më të shumtët, 148 janë nga Tirana, më tej 68 janë nga Vlora, po 68 nga Fieri, 59 nga Shkodra, 33 nga Lezha, 22 nga Elbasani, 28 nga Durrësi, 16 nga Lushnja, 28 nga Kruja, 17 nga Berati dhe 15 nga Korça. Nga këta më të shumtët e arrestuar, 64 të tillë, janë nga Tirana, 20 nga Vlora, 22 nga Fieri, 33 nga Shkodra 29 nga Lezha e me radhë. Bën habi rasti i Lezhës ku nga 33 të ndaluar gjithsej, 29 prej tyre janë arrestuar, pra janë futur në burg.