Kryeministri belg: “Vizat, çështje teknike”
BRUKSEL - Kryeministri belg, Yves Leterme, ka konfirmuar dje se çështja e azilkërkuesve shqiptarë nga Maqedonia dhe Serbia nuk ka asnjë efekt mbi heqjen e vizave afatshkurtra për qytetarët e Shqipërisë. Ai ka thënë gjithashtu se procesi është teknik dhe jo politik, se arritjet e Shqipërisë janë të dukshme dhe se pritet raporti i ekspertëve të Komisionit Europian për t’i dhënë mbështetje këtij procesi. Kohët e fundit është folur për një ndikim të mundshëm të asaj që, meqenëse azilkërkuesit nga Maqedonia dhe Serbia, të ardhur në Belgjikë, janë shqiptarë, rrjedhimisht kjo do të ketë efekt negativ për heqjen e vizave për qytetarët e Shqipërisë. Në një deklaratë për mediat, kreu i qeverisë belge tha se “nuk duhen nxjerrë konkluzione nga ajo që ndodhi me azilkërkuesit nga Maqedonia dhe Serbia. Ky është në fakt rezultati i një manipulim që u është bërë atyre qytetarëve të të dyja vendeve. Pra, nuk ka konkluzion për të nxjerrë nga kjo. Kjo çështje është zgjidhur”, - deklaroi z. Leterme. Kryeministri belg ka vizituar kohët e fundit Ballkanin dhe është ndalur në Shqipëri. Ditët e fundit, edhe një grup eurodeputetësh kanë vizituar Shqipërinë. Duke komentuar progresin në realizimin e kushteve teknike, Yves Leterme tha se Shqipëria ka bërë përparime, por u takon specialistëve europianë që të na paraqesin vlerësimin e tyre global për këtë çështje. Ndërkohë, mendoj se është bërë progres nga qeveria dhe administrata shqiptare”.
29 Mars 2010