E Shtunë, 31 Tetor 2026

Befasohet nga rekordi

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo thotë se nuk kishte pritur të shënonte kaq shumë gola këtë sezon në La Liga, pasi me 38 shënimet e tij barazoi rekordin e Telmo Zarras dhe Hugo Sanchezit. Ai është i kënaqur me paraqitjen e tij të deritashme dhe të ekipit, ndërsa synon të shënojë edhe më tepër në ndeshjen e xhiros së fundit kundër Almerias të dielën. Nga Express më 17 maj 2011 në ora 09:33

Cristiano Ronaldo insiston se nuk është i obsesionuar nga golat, pas barazimit të rekordit të shënimeve brenda një sezoni në La Liga, duke realizuar dy herë në fitoren 3-1 ndaj Villarrealit.

Sulmuesi i Real Madridit shënoi nga goditja e lirë tre minuta brenda kohës shtesë për të ngritur kuotën e tij të golave këtë sezon në La Liga në 38 nga 33 ndeshje, duke barazuar sulmuesin e Athletic Bilbaos, Telmo Zarra nga sezoni 195-/1951 dhe Hugo Sanchezin e Real Madridit nga edicioni 1989/1990.

Goli i parë nga Ronaldo në minutën e 22-të e dyfishoi epërsinë e Realit, pas shënimit të mbrojtësit të majtë Marcelo, ndërsa reprezentuesi portugez riktheu epërsinë prej dy golave pasi Ruben Cani realizoi një herë për nikoqirët.

Edhe pse është i kënaqur me arritjet personale, Ronaldo ka theksuar se kurrë nuk kishte pritur të shënonte kaq shumë gola. “Jam i lumtur që kam barazuar rekordin e Zarras dhe Hugo Sanchezit”, tha 26 vjeçari për ueb faqen zyrtare të Real Madridit.

“E vërteta është se nuk kam pritur të shënoj kaq shumë gola këtë vit dhe ndihem krenar që kam arritur dy legjenda si Zarra dhe Hugo Sanchez. Por, ajo që ka rëndësi më të madhe është fitorja jonë në një fushë të vështirë. Të gjithë ne, trajneri dhe futbollistët, duam të përfundojmë mirë sezonin dhe deri më tani jemi duke e arritur këtë. Dua të shënoj edhe më tepër kundër Almerias, por nuk jam i obsesionuar nga kjo. Jam munduar të shënoj nga goditjet e lira shumë herë këtë vit, por kam qenë i pafat deri më tani”, theksoi ai.

Ish ylli i Manchester Unitedit ka nxitur Real Madridin të vazhdojë me formën e tyre të mirë, edhe pse nuk u ka mbetur asgjë për të luajtur, meqë rivali Barcelona tashmë ka siguruar titullin e kampionit në La Liga.

“Jam i kënaqur në shkallën personale dhe kolektive, sepse i gjithë ekipi është duke luajtur mirë. Ne luajmë në shkallë të lartë dhe shënojmë shumë gola. Nuk kemi asgjë për të luftuar, por Real Madridi gjithmonë punon shumë dhe kërkon fitore”, përfundoi Ronaldo.

Me 38 golat e tij deri më tani në La Liga, Ronaldo ka arritur në kuotën 51 në të gjitha garat, një gol më pak se rivali nga Nou Camp, Lionel Messi. Real Madridi është nikoqir i Almerias të dielën në ndeshjen e tyre të fundit këtë sezon.

Ekipi i Jose Mourinhos përfundon edicionin me titullin e Copa del Rey, ku në finale kishin mposhtur Barcelonën me rezultat 1-0, pikërisht me golin e Ronaldos në lojën shtesë. Mirëpo, ata u eliminuan nga gjiganti katalan në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 3-1.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›