E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos vëni bast kundër nesh!

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, nuk beson se ndokush guxon të vërë bast në humbjen e skuadrës së tij nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve. Ai thotë se me fitore ndaj skuadrës katalane në Wembley më 28 maj, ekipi i tij do të heshtë kritikët dhe do t’u japë fund dyshimeve ndaj tyre. Nga Express më 17 maj 2011 në ora 09:34

Sir Alex Ferguson beson se fitorja në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës në Wembley do të përfundonte çdo debat rreth meritave të skuadrës aktuale të Manchester Unitedit.

Djajtë e Kuq u kurorëzuan me titullin 19-të rekord të kampionit në Angli të shtunën, por dyshimet vazhdojnë të mbeten rreth ekipit të Fergusonit. Askush nuk dyshon në kualitetet e Barcelonës dhe për këtë arsye Ferguson beson se kritikat do të përfundonin me fitoren e skuadrës së tij ndaj katalanëve në finalen e Ligës së Kampionëve më 28 maj.

“Fitorja ndaj Barcelonës do të përfundonte çdo debat rreth këtij ekipi dhe kjo është sfida jonë në Wembley”, tha Ferguson pas titullit të tij të 12-të në ligën angleze si menaxher i Manchester Unitedit.

“Nuk ka asgjë të keqe nga pranimi i sfidave dhe ne jemi të mirë rreth kësaj. Nuk ka rëndësi prej nga vini, ju duhet të paraqiteni dhe të tregoni se kush jeni. Ne kemi treguar vazhdimësi të mirë dhe forma jonë në shtëpi ka qenë e jashtëzakonshme. Mendoj se jemi në rregull. Ata nuk dorëzohen dhe ky është një kualitet i madh i tyre. Kanë skuadër të mirë me futbollistë teknikë dhe shumë të shpejtë. E di se do të takohemi me një skuadër të mrekullueshme të Barcelonës, por a do të vini bast kundër nesh? Nuk besoj. Ne jemi të aftë të paraqitemi mirë në finale”, shtoi Ferguson.

Strategu skocez tha se suksesi i futbollistëve të rinj si Javier Hernandez dhe Chris Smalling do të udhëheqë klubin drejt titujve të tjerë.

“Mendoj se uria do të mbetet gjithmonë e njëjtë sepse kjo është detyra ime. Ne mundohemi të bëjmë përzgjedhje të drejtë dhe mundohemi të prodhojmë futbollistë të mirë. Të gjithë futbollistët që kemi prodhuar me kalimin e viteve kanë pasur kualitet dhe atë uri. Këtu përfshihen edhe Tom Cleverly, Danny Welbeck e të tjerët. Ata kanë atë që kërkohet nga futbollistët e Manchester Unitedit. Është vështirë të thuhet se ku qëndron ky ekip. Kemi pasur disa skuadra të mëdha në këtë klub. Ekipi i vitit 1994 dhe ai nga 1999 veçohen, por të gjitha skuadrat që kemi pasur këtu kanë dalë të denja përballë sfidave, që në këtë klub është të fitojmë tituj”, vazhdoi ai.

“Disa prej futbollistëve të rinj tani kanë fituar trofeun e tyre të parë; Valencia, Gibson, Hernandez, Smallind dhe kjo ua shton atyre apetitet për të vazhduar përpara dhe të kuptojnë se çka do të thotë të jesh futbollist i Manchester Unitedit”, përfundoi Ferguson.

Manchester United dhe Barcelona u takuan në finalen e Ligës së Kampionëve më 2009 dhe skuadra e Pep Guardiolas fitoi me rezultat 2-0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›