I zhgënjyer me Liverpoolin

Astrit Ajdarevic nuk e ‘qan’ faktin se e kishte lënë Suedinë për ta provuar fatin në Liverpool. Por, ai ndihet i zhgënjyer me eksperiencën në këtë klub, ndaj të cilit ka lëshuar deklarata të ashpra.
Mesfushori kosovar e pati një eksperiencë të shkurtër te gjiganti anglez, por atij nuk iu dha rasti për ta shfaqur kualitetin as në ekipin U21 e lëre më në skuadrën e parë. Futbollisti aktual i Norrkoping insiston se në Anfield Road u japin rëndësi më shumë talentëve nga Liverpooli.
“Në ekipin e të rinjve të Liverpoolit e kanë mundësinë të luajnë vetëm ‘Scousers’, njerëzit që vijnë nga Liverpooli ose ata anglezë”, tha futbollisti me pasaportë suedeze për ueb faqen fotbollskanalen.se.
Në periudhën kur 21 vjeçari po qëndronte te 18 herë kampioni i Anglisë, menaxher ishte spanjolli Rafael Benitez. Ish futbollisti i Orebros tregon se te ‘Reds’, përpos lojtarëve vendorë, u jepej rëndësi futbollistëve spanjollë.
“Në periudhën e Rafa Benitez ishin 60 lojtarë spanjisht-folës. Ishte si një koloni. Ekipi i të rinjve të Liverpoolit quhej FC Spanja”, vijon Ajdarevic.
Ai qëndroi dy sezone në Liverpool (2007-09) për t’u huazuar më pas në Leicester City. Aty kaloi një sezon, ndërsa më pas shkoi te Hereford United para se të kthehej në Suedi tek Orebro, sezonin e kaluar.