Në Parma edhe sezonin tjetër

Blerim Xhemajli kaloi një sezon pozitiv te Parma. Mesfushori shqiptar është bërë pjesë e rëndësishme e ekipit italian. 25 vjeçari, i cili kërkohet nga Napoli, është i vendosur që të mbetet tek ekipi verdh e kaltër të paktën edhe një sezon.
“Besoj se do të mbetem këtu. Jam ende në bashkëpronësi të Parmës e Torinos. Shpresoj që Parma ta blejë kartonin tim përfundimisht në mënyrë që të shihemi këtu edhe sezonin e ardhshëm”, tha futbollisti nga Tetova.
Ish futbollisti i Boltonit dhe i Zurichut shkëlqeu edhe në ndeshjen e së dielës ndaj Juventusit. Ai beson se Parma më në fund e ka gjetur formën më të mirë.
“Është një ndjenjë e mirë që ta përfundosh sezonin në këtë mënyrë, përpara publikut tonë. Grupi është i bashkuar, kjo e bën diferencën. Luajmë si skuadër. Tash jemi një skuadër e vërtetë. Por, e kemi edhe një objektiv: të arrijmë në pozitën e 11-të në fund. Këtë mund ta bëjmë”, shtoi përfaqësuesi zviceran.
Rezultatet që i arriti Parma në pranverë krahasohen me ato të skuadrave që e siguruan Ligën e Kampionëve. Por, për Xhemajlin, e rëndësishme ishte që Parma e siguroi mbijetesën.
Reprezentuesi zviceran thotë se sezonin e ardhshëm çdo gjë do të nisë nga zeroja. Ai mendon se do të jetë e rëndësishme që sezoni i ri të fillojë pozitivisht, e jo si ky që do të përfundojë këtë fundjavë.