E Diel, 1 Nëntor 2026

Befason Kuzhe: Duka më ka ofruar rinovimin, unë po mendohem!

Nga Adi METALIU

Josip Kuzhe, trajneri i kombëtares sonë, zbulon për Jutarnji List ofertën e Dukës për rinovim. Ai vetë kërkon 15-20 ditë kohë për përgjigjen përfundimtare

Nëse në Shqipëri ka mbi 3-4 ditë, para dhe pas ndeshjes me Rumaninë, që bëhet fakt i kryer largimi i Josip Kuzhes nga stoli kuqezi, madje mediat kanë nxituar të hedhin në treg pa doganë edhe emrat e pasuesit të tij, vetë Kuzhe zbulon taktikën e FSHF-së, e cila nuk ka thënë asnjë fjalë deri më tani për të ardhmen e kroatit, apo të dikujt tjetër në vend të tij.

Është vetë Kuzhe që largon mjegullnajën e krijuar (na hap sytë të gjithë neve në këtë rast), ndoshta qëllimisht nga federata, për të fituar kohë dhe shmangur kritikave en block për punën dhe rezultatet e dobëta të kombëtares në fushatën e fundit kualifikuese, duke dekonspiruar vetë presidentin Armand Duka, që ka edhe ekskluzivitetin e caktimit të trajnerit të kombëtares kuqezi.

Presidenti i FSHF-së, sipas kroatit, në një prononcim të mbrëmjes së djeshme për një media të vendit të tij, Jutarnji List,  ka kërkuar rinovimin e Kuzhes, çka do të thotë se nuk po mendon për trajner tjetër, deri në përgjigjen e trajnerit në detyrë.

Kuzhe flet kroatisht Josip Kuzhe i përfundoi ndeshjet kualifikuese për Euro 2012 me Shqipërinë, teksa barazoi 1-1 me Rumaninë në Tiranë, në eliminatoren përmbyllëse të Grupit D. Kombëtarja, që drejtohet nga Josip Kuzhe, përfundoi e pesta në këtë grup, pas Francës, Bosnjës, Rumanisë dhe Bjellorusisë.

FSHF-ja i ka ofruar atij një kontratë të re. A do ta nënshkruajë apo jo Kuzhe? Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit do që unë të nënshkruaj një kontratë të re, ma ka ofruar këtë gjë, por unë i kam kërkuar pak kohë për tu menduar dhe ti kthej përgjigje. Kur u largova nga Tirana, pas ndeshjes me Rumaninë, i thashë të më presë për përgjigjen përfundimtare 15-20 ditë.

Të them të drejtën, unë jam gati ta lë këtë detyrë tashmë, por smund tu them shqiptarëve jo. U detyrohem shumë atyre. Gjatë sëmundjes sime, që kalova në tetor të vitit të kaluar, ata më kanë ndihmuar tmerrësisht. Shqiptarët kanë qenë shpirtërisht dhe fizikisht me mua në atë moment të vështirë të jetës. Jo vetëm drejtuesit e futbollit në Shqipëri, por i gjithë populli atje. Atë përkrahje nuk mund ta harroj kurrë. Megjithatë, e mira për mua tani është të punoj me ndonjë klub, – ka thënë Kuzhe.

Jo trajner i Kroacisë I pyetur nëse ishte i befasuar që emri i tij përmendet në mesin e kandidatëve për trajner të ri të Kroacisë, Kuzhe përgjigjet: Sinqerisht jo, nuk e shoh veten trajner të kombëtares kroate! Sllaven Biliç ka kryer një punë të mirë, ka arritur disa rezultate të mira. Natyrisht, do të më pëlqente të isha trajner i Kroacisë, por midis dëshirës sime subjektive dhe realitetit, mbizotëron kjo e fundit.

Unë jam absolutisht që të vazhdojë drejtimin Sllaven Biliç, por me disa korrigjime të caktuara. Kur të jetë fjala për caktimin e një trajneri të ri, atëherë Federata Kroate e Futbollit duhet të dijë saktësisht se çfarë kërkon. Unë kam frikë se ata nuk e dinë mirë këtë gjë.

Çfarë duhet të ndryshojë trajneri i Kroacisë, sipas Kuzhes? Duhet të krijojë frymën e ekipit, lojtarëve duhet tu jepet besim pa rezerva. Së dyti, ai duhet të ndërtojë një lojë të fortë konkurruese, që do të sjellë rezultate. Kroacia ka potenciale për të luajtur futboll sulmues, trajneri duhet ta dijë këtë gjë, ndaj duhet të krijojë një lojë ofensive.

Lojtarët e Kroacisë luajnë sipas qejfit të tyre, jo të organizuar. Unë e di që shumë prej kolegëve të mi do të zemërohen nga kjo që po them, do të thonë edhe që unë po filozofoj, por nga 100 trajnerë kroatë, 99 prej tyre nuk i thonë dot këto gjëra, nënvizon Kuzhe.

A mund ta thotë Kuzhe emrin e një trajneri, që mund ta zëvendësonte në mënyrë ideale Sllaven Biliçin? Unë nuk dua të flas për këtë, sepse edhe deklarata e mësipërme ka për ti lënduar kolegët, thotë shkurt Kuzhe.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›