Begaj, çuni që stërvitet me bosht meshkujsh

TIRANË - E tërhequr nga cirku dhe më pas nga hekurat, Romela Begajn vërtet që e beson kur të thotë se në fëmijëri ka qenë si djalë. “Si ka qenë fëmijëria ime, - nis të përgjigjet me një pyetje, - si e një çuni. Nuk rrija kurrë me vajza, dhe ngacmoja të gjithë ata që më mbushej mendja”. Shkathtësia e bëri që të hynte në cirk, falë profesorit të Cirkut të Tiranës, Bajram Kurtit, ndërsa rroga e ulët dhe trajtimi jo i mirë, e shtynë që më 2004 t’i jepte fund asaj karriere.
Nga cirku mban mend një aktivitet në Greqi, në rrethinat turistike të Athinës, ku ajo dha shfaqje bashkë me tre vajza të tjera nga Shqipëria, me një pjesë baleti të kompozuar nga Llaqi Nako. “Ne ishim veshur si shqiponja, me krahë, me ngjyrat kuqezi, shqiptarët dhe të huajt e shumtë që kishin ardhur për të na parë u kënaqën shumë”, - thotë ajo.
Peshëngritja i dha më shumë gëzim si dhe medalje. Në një dhomë të shtëpisë ajo mban trofetë e shtangës, kupa dhe pesë medalje. Përveç treshes (ar, argjend, bronz) së Kampionatit Europian të Linjanos këtë vit, ajo ka edhe bronzin e fituar në Lojrat Mesdhetare në Almeria 2005 (kur ishte 19 vjeçe) dhe argjendin në kampionatin evropian në Strasburg të Francës më 2007. Në kampionatin botëror për të rinj në Hangzhou të Kinës fitoi medalje bronzi.
Por në atë dhomë është edhe një bosht metalik, me të cilin Romela është ushtruar vazhdimisht. I bukur boshti por ... një bosht për djem. Si kështu? “Deri një muaj para Olimpiadës, apo afërsisht kaq, unë jam stërvitur jo me bosht për femrat që ka diametër 15 cm, por për meshkuj me diametër 20 cm, - thotë ajo me një nënqeshje të lehtë, - ishte “e pamundur” të ma gjenin një bosht për femra”.