Begaj, kampione e rekord në Lojërat Mesdhetare
Olgert Serani
Vijnë medaljet e para për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare “Peskara 2009”.Sikurse më parë, edhe kësaj radhe për flamurin kuqezi do të mendonte peshëngritja, konkretisht kampionia e Evropës, Romela Begaj. Përpos medaljes së artë në stilin e shkëputjes, në kategorinë e peshës 58 kg, Begaj vendosi edhe dy rekorde të njëpasnjëshme mesdhetare: fillimisht 92 kg, e më pas duke e çuar shtangën në 95 kg. “Ikona” e shtangës kuqezi për femra, 22-vjeçarja Romela Begaj, e nisi garën në stilin e shkëputjes me 92 kg, duke shkuar më pas në provën e dytë në 95 kg (një tjetër rekord ky). Në provën e tretë peshëngritësja shqiptare, që trajnohet nga mjeshtri me përvojë të madhe kombëtare e ndërkombëtare, Hektor Shaqiri, dështoi në tentativën për të çuar 98 kg e për të vendosur një rekord të tretë mesdhetar. Në vend të dytë në këtë stil u rendit grekja Konstantina Lapu (92 kg) dhe në të tretin turkja Ajlin Dasdelen (87 kg). Begaj do të ngjitej në podium edhe në stilin e shtytjes, ku do të nderohej me medalje argjendi. Për shkak të peshës më të madhe nga turkja Ajlin Dasdelen, ajo nuk mundi dot të bënte ‘bis’ me medalje ari brenda pak minutave. Turkja ia rrëmbeu Begajt medaljen e arit, edhe pse ngriti të njëjtën peshë 110 kg. Pesha e turkes ishte 55.84 kg, ndërsa ajo e Romelës 57.45. Kësisoj peshëngritësja jonë mori medaljen e argjendtë. Ndryshe nga Begaj, për t’u harruar ka qenë rikthimi në pedanë pas 2 viteve pezullim i peshëngritëses tjetër shqiptare, Fetie Kasaj. Në të dyja stilet ajo nuk mundi të realizonte asnjë provë, si në shkëputje me 72 kg dhe në shtytje me 98 kg. Sot, në konkurrim për Shqipërinë do të ngjitet në podium në baterinë A për peshën 77 kg një tjetër pretendent për të marrë medalje, peshëngritësi Erkand Qerimaj.
Peshëngritje
Briken Calja, argjend në shkëputje
Briken Calja është shpallur nënkampion Mesdheu, në peshën 69 kg në stilin e shkëputjes. Në Lojërat Mesdhetare, Calja ishte peshëngritësi i parë kuqezi (nga gjashtë pjesëmarrës) që ka hipur në pedanë. Një paraqitje e kënaqshme e shqiptarit në baterinë A, i cili ka luftuar deri në fund, por pesha e ngritur në provën e tretë në stilin e shkëputjes ishte shumë larg nga ajo e rivalit të tij francez, që zuri vendin e parë. Calja e nis dhe e mbyll në mënyrën më të shkëlqyer garimin e tij fillimisht me 134 kg, pastaj me 137 kg dhe në provën e tretë fikson mbi supe plot 142 kg, duke marrë kështu medaljen e argjendtë.