Bota kthen sytë nga Shqipëria
Bota sot ka kthyer sytë nga Shqipëria, vendi që voton në zgjedhjet më të rëndësishme për të ardhmen e vet evropiane. Mediat më prestigjioze në botë i kanë kushtuar vëmendje Shqipërisë dhe procesit zgjedhor, duke analizuar rëndësinë e tij dhe bazën e partive të mëdha politike të përfshira në të. Me një titull “Sytë nga Evropa, sot voton Shqipëria”, prestigjiozja amerikane “New York Times” shkruan se shtetasit shqiptarë kanë një ndjesi izolimi në vendin e varfër të sapo anëtarësuar në NATO, një moment shumë simbolik dhe rezonancë psikologjike për një vend të përjashtuar nga Perëndimi për mbi 40 vjet. Mes peshimit të dy liderëve të koalicioneve të fuqishme, premtimeve dhe problemeve të tyre, NYT kujton thirrjen e ish-kryeministrit, liderit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, se “Shqipëria ka një problem imazhi në botë dhe ne duhet të kemi zgjedhje të drejta dhe të lira, përndryshe imazhi i keq do të na ndjekë edhe në vitet që do të pasojnë. E gjithë bota i ka kthyer sytë nga ne!”.
“Associated Press” shkruan se kryeministri shqiptar, Sali Berisha përballet të dielën me një luftë të ashpër për zgjedhjet kombëtare, të konsideruara si testi kryesor i pjekurisë politike në vend, ndërsa synohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian. AP kujton se këto janë zgjedhjet e shtata parlamentare që nga rënia e komunizmit dhe në asnjërën nga zgjedhjet paraardhëse nuk janë arritur standardet e kërkuara nga BE-ja. Përkundrazi, zgjedhjet janë konsideruar si të padrejta dhe të parregullta. Agjencia analizon se, “qeveria e qendrës së djathtë të kryeministrit Berisha është ndjekur nga skandalet gjatë muajve të fundit, edhe pse është sjellë në pushtet me premtimin se do të zhdukë korrupsionin. Ai përballet me një sfidë të fortë nga kryebashkiaku i Tiranës dhe lideri i socialistëve, Edi Rama, një artist i njohur më mirë jashtë Tiranës për projektet e tij për të lyer fasadat e pallateve të kryeqytetit me ngjyra të ndezura dhe ndonjëherë përplasëse”. Agjencia thekson se të dy partitë e mëdha kanë platformat njëjta për të ardhmen e vendit.
Rrjeti prestigjioz i lajmeve në kontinentin tonë, “Euronews”, i vlerëson zgjedhjet si testin kryesor të Shqipërisë, (dikur vendi më i tërhequr në Evropë), për ambiciet e saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Edhe analistët e “Euronews” vlerësojnë se “manifestet e partive janë shumë të ngjashme, bazuar në anëtarësimin në BE, më shumë vende pune dhe stabilitet, ndërsa akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion”. Sipas “Euronews”, FMN-ja ka parashikuar rënie dramatike të rritjes këtë vit për Shqipërinë. Agjencia kujton dhunën sporadike gjatë ditëve të fushatës.
BBC e nis artikullin me gjeneratën e parë që ka lindur pas rënies së komunizmit në dhjetor 1990, që për herë të parë këtë vit voton në zgjedhjet e përgjithshme. Edhe kjo agjenci vlerëson se këto zgjedhje janë testi më i madh i Shqipërisë për progresin drejt anëtarësimit në BE. BBC, duke krahasuar të dy koalicionet e mëdha kujton se vetë emrat e tyre sugjerojnë synime të njëjta: ndryshim dhe integrim. Sa për problemet parazgjedhore, mediat nuk kanë lënë pa përmendur tre incidentet e javëve të fundit dhe kartat e identitetit, të cilat janë konsideruar si pika më debutuese e procesit zgjedhor.
“Financial Times” shkruan se ky do të jetë testi më kritik për Shqipërinë, vendi i vetëm në Evropën Juglindore që nuk ka mbajtur asnjëherë zgjedhje të vlerësuara si të lira dhe të drejta nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Agjencia prestigjioze thekson se pa miratimin e OSBE-së, aplikimi i Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat për Bashkimin Evropian, i bërë në prill, do të ngecte menjëherë, duke e lënë vendin me shumë pozicione pas nga Kroacia dhe Maqedonia në rrugën drejt anëtarësimit. “Financial Times” e vlerëson fushatën zgjedhore në vend të përbërë më shumë nga koncerte rroku dhe fishekzjarrë se sa debate televizive, asnjë parti nuk duket se ka mundësi të fitojë shumicën e mundshme në parlamentin 140-vendësh, sipas analistëve, shkruan “Financial Times”.