Dritan Dajti lë qelinë, me autoblindë në spital
Armand Bajrami
Pas një muaji “i kyçur” në Spitalin e Burgut, ku u dërgua menjëherë pas ngjarjes ku u vranë 4 punonjës policie, Dritan Dajti la dje qelinë vetëm për pak minuta.
Në supermasa sigurie, të tilla si ato të transportimit të të penduarve të drejtësisë për në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Dajti është larguar vetëm pak metra më tutje për në repartin e Radiologjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Spitalit të Burgut. Lëvizja e Dajtit është realizuar për të kryer një radiografi me aparatura më të specializuara se ato që zotërohen në ambientet e Spitalit të Burgut. Transporti i tij, i kryer në siguri maksimale referuar precedentit të 6 viteve më parë, ku Dajti arriti të arratiset, pas pak minutash ai është rikthyer në ambientet ku qëndron prej një muaji.
VIZITA
Rreth orës 10:00 të paradites së djeshme, pas kanateve të portës së hapur të Spitalit të Burgut pranë QSUT-së është shfaqur një autoblindë e shoqëruar nga dhjetëra efektivë të forcave speciale. Automjeti, brenda të cilit ndodhej i akuzuari si ekzekutor i 4 efektivëve të GOS-it në Durrës, ka lëvizur me shpejtësi deri pranë derës së repartit të Radiologjisë. Të armatosur deri në dhëmbë, me antiplumbë dhe me kapuça të zinj në kokë, efektivët e forcave speciale kanë shoqëruar deri në ambientet e brendshme të repartit mjekësor të shumëkërkuarin Dajti. Burime zyrtare pohuan se vizita mjekësore e Dajtit ka zgjatur rreth një orë. Sipas burimeve, qëllimi i vizitës ka qenë kryerja e një grafie të përgjithshme të Dajtit. “Qëllimi i vizitës ishte kryerja e një grafie me mjete më të specializuara për përcaktimin ekzakt të pozicionit të dy plumbave që Dajti ka ende në trup”, sqaruan burime. Pas ekzaminimit, mësohet se në të njëjtat masa sigurie Dajti është rikthyer për në ambientet e Spitalit të Burgut. Sipas stafit mjekësor të Spitalit të Burgut, gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit paraqitet e qëndrueshme. Drejtori i këtij spitali, Ylber Vata, i kontaktuar nga “Panorama”, konfirmoi se gjendja e Dajtit është e mirë. Sipas Vatës, Dajti vazhdon të ketë të pandjeshme këmbën e tij të majtë, ndërsa ka të shëruar këmbën e djathtë.
SIGURIA
Që nga momenti kur i shumëkërkuari i policisë shqiptare, Dritan Dajti, u prangos në 7 gusht pranë pistës “Iliria” në plazhin e Durrësit, operacion ku u vranë 4 policë, ai është lënë në “duart” e forcave speciale. Ndërsa sjellja e tij nga Durrësi në Tiranë u mundësua nga reparti RENEA, eskorta e specialëve nuk mungoi as në shoqërimin e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, gjatë caktimit të masës së sigurisë. Prania e specialëve ka qenë edhe në qelinë e Spitalit të Burgut, ku Dajti kurohet prej një muaji. Sipas burimeve, një efektiv special qëndron non-stop pranë shtratit të tij. Në nëntor të vitit 2003, Dritan Dajti i arrestuar në atë kohë, u arratis nga ambientet e Gjykatës së Tiranës pak para se të fillonte seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Dajti, një muaj pa familjen
Ndërsa ka mbushur një muaj në masën e “arrestit me burg”, Dritan Dajti nuk është takuar me asnjë prej familjarëve të tij. Kërkesat e këtyre të fundit nuk kanë munguar që prej ditës së parë të qëndrimit të tij në spital, por deri më tani asnjë prej tyre nuk është pranuar. Lajmi konfirmohet edhe nga burime zyrtare të Spitalit të Burgut, sipas të cilëve, asnjë nga pjesëtarët e familjes të të arrestuarit Dajti nuk kanë pasur kontakte me të në ambientet e spitalit. Referuar burimeve, mësohet se asnjë nga familjarët e të arrestuarit Dajti nuk është futur brenda ambienteve të burgut gjatë qëndrimit të tij aty. Mësohet se dhënia e lejes për të takuar Dajtin në Spitalin e Burgut, është kompetencë e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Refuzimet e deritanishme të lejeve për takim me familjarin e tyre, iu janë refuzuar familjarëve me argumentin se më parë kërkohej konfirmimi i mjekëve për mundësinë e takimeve.