Raporti i AP: Të burgosurit pa mjekë dhe ilaçe
Situatë skandaloze në burgjet shqiptare, të dënuarit vuajnë për shërbim shëndetësor
Shërbimi shëndetësor në burgje nuk funksionon. Mungesa e mjekut; ilaçeve apo ambulancave janë situata të zakonshme sot në burgjet shqiptare. Këto mangësi bëhen publike në raportin e fundit të Avokatit të Popullit, i cili thekson se pavarësisht rekomandimeve të bëra në këtë drejtim edhe gjatë vitit 2012 shërbimi shëndetësor në sistemin penitenciar nuk pati përmirësime.
Shërbimi shëndetësor
Në shumë raste u vunë re mangësi, kryesisht në mungesën e ilaçeve, në trajtimit të patologjive jo të zakonshme, në mjetet e transportit (ambulanca) në disa burgje, në mungesën e mjekut me kohë të plotë në institucion, në mungesën e shtimit të personelit mjekësor të specializuar, në moskrijimin e ambienteve optimale të shërbimit shëndetësor, etj, thuhet mes të tjerash në raportin e Avokatit të Popullit. Gjithashtu është konstatuar se burgjet dhe paraburgimet në vend nuk plotësojnë kushtet minimale për të strehuar dhe për të trajtuar persona me aftësi të kufizuar. Në këto kushte del si detyrë emergjente që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të mundësojë blerjen e pajisjeve të posaçme dhe shtimin e personelit për të trajtuar sipas standardeve këtë kategori.
Korrupsioni në burgje
Një problem tepër serioz që vazhdon të ngrihet në mjaft komunikime konfidenciale me të dënuarit dhe paraburgosurit është ai i korrupsionit në segmente të administratës së burgjeve. Ky korrupsion ka bërë që të pretendohet për cenim të rëndë të të drejtave dhe trajtimit të individëve brenda këtyre institucioneve. Avokati i Popullit megjithëse është përpjekur të verifikojë disa raste të denoncuara për korrupsion, e ka pasur mjaft të vështirë të mundësojë zbardhjen e së vërtetës. Nisur nga gjetja periodike e sendeve të ndaluara në qeli të veçanta, apo nga trajtimi i pabarabartë që u bëhet disa të dënuarve dhe paraburgosurve në vend, në mënyrë indirekte lihet të kuptohet se korrupsioni në sistemin penitenciar është prezent dhe përbën kërcënim për mbarëvajtjen e trajtimit të të drejtave të individëve të dënuar ose të paraburgosur, thuhet në raport.
Mbipopullimi
Me gjithë hapjen e institucioneve të reja të vuajtjes së dënimit dhe konsolidimit të funksionimit të
Shërbimit të Provës, mbipopullimi vijon të mbetet një problem kryesor në burgje dhe sidomos në
paraburgime. Avokati i Popullit e ka nënvizuar shpesh rëndësinë e uljes së numrit të të dënuarve në këto institucione, duke respektuar standardet e hapësirës për jetesë, kërkesë kjo e parashtruar dhe në raportet e CPT-së për vendin tonë.
Disa nga rekomandimet e Avokatit të Popullit
Krijimi i dhomës së takimit me familjarët.
Vendosja e aparatit telefonik në një vend ku garantohet privatësia.
Pajisja e punonjësve të kuzhinës me libreza shëndetësore.
Plotësimi i kartelave mjekësore me rigorozitet.
Krijimi i ambienteve të përshtatshme për shërbimet e kultit dhe aktiviteteve kulturore
Vendosja e një frigoriferi në shërbim të të paraburgosurve.
Pajisja e shesh-ajrosjeve me tenda mbrojtëse.
Instalimi i sistemit të ngrohjes dhe ventilimit në qeli.
Kontrolli i ushqimeve nga ana e policisë të bëhet duke përdorur dorashka. Pajisja me ambulance.
Dezinfektimi periodik i ambienteve.
Plotësimi i inventarit të farmacive me ilaçe si ato të përgjithshme ashtu edhe të urgjencës.
Plotësimi i stafit mjekësor me stomatolog me kohë të plot
Ambiente për lutje në burg
Një ndër rekomandimet që Avokati i Popullit i ka drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, për përmirësimin e situatës së të paraburgosurve është edhe krijimi i ambienteve të përshtatshme për shërbimet e kultit, çka do të thotë se të burgosurit jo vetëm që do të lejohen por edhe do tu krijohen kushtet e duhura për të bërë lutjet apo ndjekur ritet sipas besimit të tyre fetar.