E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behrami e përkrah Zolan

Valon Behrami ka insistuar se i gjithë ekipi i West Hamit është i bashkuar dhe përkrah menaxherin e kritikuar, Gianfranco Zola.

Pozita e strategut italian është në dyshim pas gjashtë humbjeve të njëpasnjëshme në Premierligë. West Ham udhëton në Everton të dielën dhe Behrami ka theksuar se morali në ekip është i mirë, derisa luftojnë për mbijetesë.

“I gjithë ekipi është i bashkuar. Ne kemi marrëdhënie të mira. Të gjithë i besojnë menaxherit dhe duam të japim shumë për të sepse kjo situatë nuk është e lehtë. Ne e dimë këtë”, tha mesfushori kosovar për ueb faqen zyrtare të klubit.

Behrami ka ftuar bashkëlojtarët e tij të japin maksimumin në ndeshjet e fundit të sezonit për të shpëtuar statusin në elitën e futbollit anglez. “Duhet të japim diçka të veçantë dhe diçka më tepër se më parë. Ne mund ta ndryshojmë të gjithë sezonin në gjashtë ndeshjet e fundit. Nëse ndryshojnë gjërat e vogla, ndoshta një autogol, atëherë mund të ndryshojë i gjithë sezoni. Nuk kemi qenë me fat, por e di se as nuk kemi luajtur mirë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›