Behrami lavdëron Mihajloviçin
Valon Behrami e ka gjetur rehatinë te Fiorentina, pas periudhës së vështirë në Angli me West Hamin, ku nuk e lanë të qetë lëndimet. Mesfushori kosovar ndihet mirë në Firenze.
Një arsye më shumë për këtë është marrëdhënia e mirë me trajnerin Sinisa Mihajlovic, një dyshe kjo speciale e konsideruar nga mediat italiane. 25 vjeçari iu bashkua ekipit Viola gjatë dimrit. Me të ekipi i Mihajloviçit në pranverë pati pamje tjetër.
“Mihajloviçin e prisja kështu, një person me karakter të fortë dhe temperament. Është krijuar menjëherë një miqësi në mes nesh, një marrëdhënie e mirë. Jam i lumtur që ai do ta udhëheqë Fiorentinën edhe sezonin e ardhshëm”, tha ish futbollisti i Lazios për ueb faqen violanews.com.
Përfaqësuesi zviceran i ka punët për mrekulli edhe me tifozët e klubit, të cilëve ua ka rrëmbyer zemrën me përkushtimin dhe me kontributin që e jep në fushë.
“Jam entuziast për këtë. Menjëherë është krijuar një afrim me publikun. Ndoshta atyre u kanë pëlqyer karakteristikat e mia, temperamenti im. Por, unë nuk bëj premtime sepse futbolli të bën të madh, por edhe të zbret poshtë për një kohë të shkurtër. Duhet të jemi gjithmonë të ekuilibruar në gjykime”, shtoi Behrami.
Sezonin e ardhshëm, Fiorentina do ta nisë e mbështetur nga ai. Behrami është bërë njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm të këtij ekipi. Futbollisti me prejardhje nga Drenica ka folur edhe për objektivat e ardhshëm.
“Ëndërroj pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, edhe pse nuk do të jetë një gjë e lehtë. Objektiv i vitit të ardhshëm është që të përmirësohemi dhe ta kapim një pozitë që çon në Evropë”, tha në fund Behrami.