Pele: “Chicharito” do të jetë Mesi i ri
Futbollisti legjendar brazilian Pele e ka vlerësuar shumë sulmuesin meksikan të Mançester Junajtid, Havier “Chicharito” Hernandez, i cili këtë sezon është një nga lojtarët që ka lënë më shumë shenjë në sukseset e “Djajve të Kuq”. Që kur erdhi në “Old Trafford” verën e kaluar nga Çivaso, Hernandez ka shënuar 20 gola në 42 ndeshje, dhe madje edhe Sër Aleks Ferguson ka thënë se është i habitur sesi meksikani i ri është përshtatur kaq shpejt në Premier League, transmetojnë mediat britanike. Ndërsa, Pele ka thënë se “Chicharito” mund të jetë Mesi i ri i futbollit botëror, pasi zotëron talent të madh. Me golat e shënuar, sidomos në ndeshjet e fundit, Hernandez është bërë një lojtar-kyç për repartin e sulmit të “djajve”, duke qenë thuajse gjithnjë partneri i Uejn Runit në fushën e lojës.