E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët besojnë në kualifikim

Hamdi Salihi thotë se pas fitores ndaj Bjellorusisë, çdokush në Shqipëri mendon se kuqezinjtë mund të kualifikohen në Euro 2012. Përveç Francës, sulmuesi shkodran mendon se përfaqësueset tjera nga Grupi D janë të baraspeshuara dhe kanë gjasa të njëjta për kualifikim. Nga Express më 12 maj 2011 në ora 13:26

Kombëtarja shqiptare ka lënë të gjithë gojëhapur me paraqitjet e saj në eliminatoret për Euro 2012. Aktualisht, kuqezinjtë gjenden në pozitën e tretë të Grupit D, me tetë pikë të tubuara, të cilat e ngritin ekipin kuq e zi përpara Bosnje e Hercegovinës dhe Rumanisë.

Njëri ndër më të merituarit për këtë sukses padyshim se është Hamdi Salihi, i cili ka realizuar disa gola vendimtare për kuqezinjtë. Sulmuesi shkodran beson se gjasat e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Euro 2012 janë shtuar, pas fitores së 26 marsit ndaj Bjellorusisë në Tiranë.

“Që kur kemi fituar ndaj Bjellorusisë, çdokush në Shqipëri mendon se ne mund të kualifikohemi”, ka thënë sulmuesi i Rapidit të Vjenës për ueb faqen zyrtare të FIFA-s.

“Ishte ndjenjë e mirë që i fituam tri pikë në një ndeshje që duhej të fitohej. Është një ndjenjë e veçantë për mua që e shënova golin e fitores. Kjo është e rëndësishme pasi na ka rritur besimin për ndeshjet e ardhshme”, shtoi sulmuesi shkodran.

Kjo fitore, por edhe paraqitjet tjera të mira në këto kualifikime, e kanë ngritur Shqipërinë në pozitën e 50-të në renditjen botërore të FIFA-s. Përpos Francës, Salihi mendon se ekipet tjera në grup janë të baraspeshuara dhe kanë gjasa pothuajse të njëjta për kualifikim. Ai nuk e lë aspak prapa Shqipërinë për një kualifikim eventual historik.

“E di se do të jetë një grup konkurrues. Janë 3-4 ekipe që mund të jenë atje lart. Vetëm Franca duket qartë se do të kualifikohet. Nëse e bëjmë edhe në të njëjtën gjë, i gjithë vendi do të festonte”, vazhdoi 27 vjeçari.

Për trajnerin Josip Kuze, hapi tjetër për rrugën drejt Polonisë e Ukrainës do të jetë udhëtimi në Bosnje e Hercegovinë në fillim të qershorit.

“Ndeshja me Bosnjën do të jetë mjaft e fortë dhe e vështirë për ne. Bosnja ka lojtarë të fortë individualisht”, mendon Salihi, golat e të cilit në fitoren 1:0 ndaj Luksemburgut dhe Bjellorusisë ia dhuruan 6 pikë vitale Shqipërisë.

Salihi tregon se kur Otto Baric ishte selektor i Shqipërisë, e krahasonte atë me legjendën gjermane Gerd Muller. Shkodrani e kishte nisur karrierën si 18 vjeç me ekipin e Vllaznisë.

Edhe pse po tregohet vendimtar me Shqipërinë, por edhe me Rapid Vjenën, ai tregohet mjaft modest. “Kudo që kam luajtur, kemi punuar së bashku mjaft mirë si ekip. Sulmuesi duhet ta kapë maksimumin dhe ta kryejë punën e tij”, nënvizoi Salihi.

Ai ka realizuar 17 gola nga 32 ndeshje me Rapidin këtë sezon. Këto gola e ngritën ekipin gjelbër e bardh në pozitën e pestë të kampionatit austriak, duke ia shtuar gjasat për pjesëmarrje në garat evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›