Rino Gatuzo: Çështja u ekzagjerua
Kori “Leonardo, burrë m…” që u këndua nga Gatuzo në festën e titullit kampion të Milanit në Romë, ka hapur shumë polemika në Milano. Leonardo, trajneri i Interit që vitin e kaluar ishte nën drejtimin e Milanit, kërkoi ditën e martë shpjegime për këtë dhe Gatuzo ka dhënë përgjigjen. “Përgjegjësitë e mia unë nuk i anashkaloj kurrë. Them vetëm që e gjithë kjo polemikë për diçka të vogël, më duket e ekzagjeruar. Nëse do kthehesha mbrapsht, nuk do ta bëja më”, u shpreh Gatuzo për “La Reppublica”. “E kalova kufirin. E di që nuk kam qenë një shembull i mirë për fëmijët. Këtë vit kam bërë shumë budallallëqe, më shumë seç kam bërë në gjithë karrierën time”, shtoi mesfushori i Milanit. Edhe Milani ka reaguar ndaj këtij kori, duke mos e bërë të madhe çështjen: “Kori i Gatuzos ishte pjesë e festimeve për titullin kampion. Asnjë pjesëtar i Milanit nuk i kërkoi llogari Marko Materacit, i cili u tall me shoqërinë tonë duke vënë një maskë të presidentit Silvio Berlusconi sezonin e kaluar”.