E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behrami në Fiorentinë

Nga Express më 25 janar 2011 në ora 12:18

Më në fund, ‘telenovela’ Behrami ka përfunduar. Sipas të përditshmes italiane Gazzetta dello Sport, tashmë është e qartë se futbollisti kosovar mund të konsiderohet një lojtar i ri i Fiorentinës.

“Është punë e kryer për Valon Behramin. Përfaqësuesi zviceran, me prejardhje kosovare, pritet të arrijë në Firenze në orët e ardhshme. Fiorentina e ka zhbllokuar marrëveshjen me West Ham United, pas bisedimeve që zgjatën disa javë. Ish futbollisti i Lazios është përforcimi i dytë i klubit Viola pas portierit Neto”, shkruan e përditshmja e njohur italiane.

Ndërkohë, mediat tjera italiane shkruajnë se për 25 vjeçarin Fiorentina do t’i shpenzojë 4.5 milionë euro. Mitrovicasi pritet të nënshkruajë kontratë për tri vjet e gjysmë me klubin Viola dhe do t’i përfitojë një milion euro në vit. Shumë shpejt pritet të arrijë zyrtarizimi i këtij transferimi.

Përfaqësuesi zviceran e dëshironte me çdo kusht rikthimin në Itali, pasi familja e tij nuk u ambientua si duhet me jetën e Londrës. Më parë, interesim për futbollistin e krahut kishin shfaqur edhe klubet tjera nga Serie A, Roma dhe Palermo.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›