Ajax, pas Nafiut e Hasanit

Përfaqësues të gjigantit të futbollit holandez, Ajax, këto ditë po qëndrojnë në Tetovë, ku me drejtuesit e Shkëndisë janë duke biseduar për mundësinë e transferimit të Valmir Nafiut.
Edhe pse futbollisti i ri i Shkëndisë është në bisedime me skuadrën e Baselit, holandezët nuk e kanë ndërmend të dorëzohen për të siguruar 16 vjeçarin e Shkëndisë.
Siç njofton televizioni Alsat M, mbrëmjen e së shtunës, drejtuesit e klubit tetovar kishin takim me homologët e tyre nga Holanda, ku është shqyrtuar mundësia e arritjes së marrëveshjes.
Sipas drejtuesve të Shkëndisë, menaxherët holandezë edhe një herë kanë vërtetuar interesimin e Ajaxit për Nafiun, ndërsa në të njëjtin takim ata kanë dorëzuar edhe kërkesën e skuadrës holandeze AZ Alkmar për ta testuar futbollistin e Shkëndisë.
Ndërkohë, përveç Nafiut, skautët holandezë kanë treguar interesim edhe për Ferhan Hasanin, i cili në pranverë ishte futbollisti më i mirë i Shkëndisë, por edhe i kampionatit elitar të Maqedonisë.
“Me ekipin tim përkrah futbollistët e rinj profesionalë në karrierën e tyre sociale dhe profesionale. Sonte për këtë shkak jam këtu që të takohem me presidentin dhe futbollistin e ekipit të Shkëndisë. Kemi gjetur këtu në Maqedoni një futbollist mjaft interesant dhe të talentuar, i cili mund të ndërtojë një karrierë të mirë profesionale në Evropë. Ne jemi duke biseduar për një futbollist të ri, konkretisht është Valmir Nafiu”, deklaroi Gerrit Loopstra, menaxher i “Intermak Advies & Coaching”.
Ai shtoi se në Maqedoni ka dëgjuar se ka edhe portierë dhe futbollistë tjerë të talentuar. Grupi i tij përfaqëson ekipet në Spanjë dhe Holandë, mirëpo në veçanti angazhohen në Holandë, ku përfaqësojnë 5 klubet më të mëdha për të gjetur skautë ose futbollistë të rinj.