Kërkon një vend titullari
Bashkim Kadri po mundohet të përshtatet në elitën e futbollit danez me ekipin e tij Odense. Sulmuesi i ri shqiptar kishte shkëlqyer me ekipin B93 në divizionin e dytë danez, ku ishte golashënuesi më i mirë i ekipit.
19 vjeçari me prejardhje nga Maqedonia po punon çdo ditë për t’u zhvilluar sa më shumë dhe për t’u bërë pjesë e rëndësishme e Odenses.
“Fillimi është gjithmonë i vështirë, por duhet të luaj dhe ta jap më të mirën nga vetja, për të shpresuar më pas që kjo ka qenë e mjaftueshme”, deklaroi Kadri për ueb faqen ob.dk.
Pas largimit të Johan Absalonsens, në pranverë talenti shqiptar mund të ketë më shumë hapësira.
“Ndihem mirë, mendoj se mund ta mbush këtë hapësirë, kështu që është e qartë se shpresoj të luaj rregullisht. Mirëpo, ka edhe lojtarë të tjerë që presin për të luajtur. Kështu që, të shohim se çka do të ndodhë”, vazhdoi Kadri.
Ai e di se konkurrenca për ta fituar një vend titullari është e fortë, mirëpo në të kaluarën Kadri ka ditur të dalë mirë në situata të tilla. Futbollisti thotë se do të pranonte të luante kudo, vetëm të jetë në fushë.
“Më pëlqen të luaj në çfarëdo pozite, kjo është e tëra. Siç e kam thënë, gjithmonë jemi pjesëmarrës në kompeticione të ndryshme dhe varësisht prej nevojës, mund të luaj edhe në të majtë. Mirëpo, sulmi është pozita ime e preferuar. Por, unë jam i gatshëm të luaj aty ku më vendos trajneri”, përfundoi Kadri i cili u transferua në Odense gjatë verës së vitit nga B93.