Stërvitje me kusht
Udhëheqësia e Vëllaznimit më në fund ka lëvizur. Ajo ka mbajtur një mbledhje me shtabin teknik dhe me futbollistët të hënën paradite, ku janë sqaruar shumë gjëra.
Futbollistëve u është premtuar që obligimet ndaj tyre do të kryhen kah fundi i kësaj jave, derisa është vendosur që përgatitjet për sezonin e ri të fillojnë të mërkurën. Futbollistët u kanë besuar udhëheqësve të tyre dhe me këtë rast ata do ta nisin aventurën pranverore këtë mesjavë.
“Sot (të hënën) kishim një takim me lojtarët dhe folëm shumëçka. Ne kemi arritur t’i sigurojmë të hollat dhe deri të premten do t’ua kthejmë borxhin prej dy rrogash futbollistëve. Gjithashtu u vendos që përgatitjet të fillojnë të mërkurën”, bëri të ditur për Express zyrtari i Vëllaznimit, Ahmet Morina.
Në anën tjetër, futbollistët u zotuan se do t’i përgjigjen kësaj thirrjeje. Por, ata do të presin deri të premten. Nëse nuk u kryhen obligimet, ata tashmë e kanë marrë një vendim.
“Do t’i fillojmë përgatitjet të mërkurën vetëm me një kusht: nëse të enjten ose të premten do t’i marrim rrogat që na i kanë borxh. Nëse kjo nuk ndodh, më nuk do të dalim në stërvitje dhe do të shikojmë alternativa tjera”, tha njëri prej futbollistëve në kushte anonimiteti.
Futbollistët thonë se janë lodhur nga premtimet e parealizueshme të kryesisë së klubit. Ata shpresojnë që premtimi i fundit të realizohet. Në të kundërtën, gjërat do të shkojnë keq për klubin gjakovar.
Vëllaznimi e ka mbyllur pjesën e parë të kampionatit në Raiffeisen Superligë në pozitën e 10-të. Ekipi gjakovar është njëri prej më të rrezikuarve për të rënë nga elita e futbollit kosovar.
Vëllaznimi pret Gjerajn e Isajën
Gjatë janarit, Vëllaznimi ka mbetur pa dy lojtarë të rëndësishëm të fazës ofanzive. Virtyt Hashani është rikthyer në kryeqytet, përkatësisht te Flamurtari, kurse Dardan Rugova i është bashkuar Teutës së Durrësit.
Pasi i kanë siguruar paratë për shlyerjen e borxhit, zyrtarët e Vëllaznimit po mendojnë për përforcime. Dy lojtarët me të cilët kuqezinjtë janë afër marrëveshjes janë: mbrojtësi ofanziv Robert Gjeraj, që në të kaluarën ishte pjesë e këtij ekipi, dhe sulmuesi Denis Isaja. Të dy në sezonin e fundit kanë luajtur në Ballkan.
“Me të dy kemi pasur biseda dhe jemi afër arritjes së marrëveshjes. Ne po e prisnim vetëm sigurimin e mjeteve. Ka mundësi të mira që ata të luajnë në Vëllaznim gjatë pranverës”, nënvizoi Morina.
Ndërkohë, Vëllaznimi është në bisedime edhe me mesfushorin e deritashëm të Ballkanit, Fitim Krusha. Por, në krahasim me dy të parët, ky i fundit është paksa më larg sa i përket marrëveshjes. Gjakovarët paralajmërojnë edhe përforcime të tjera, para fillimit të sezonit pranveror.