E Shtunë, 31 Tetor 2026

Behrami, ylli i ri i Fiorentinës

Nga Express më 15 mars 2011 në ora 12:50

Fiorentina është këndellur dukshëm në pjesën e dytë të kampionatit në Serie A. Ekipi Viola i ka radhitur fitoret, duke u ngritur në pjesën e epërme të tabelës, të cilën gjatë vjeshtës e shikonte nga poshtë.

Edhe s’ka dyshim se te këto suksese të ekipit nga Firenze kontribut të pashoq po jep edhe përforcimi kryesor i janarit, Valon Behrami. Mesfushori kosovar është përshtatur në mënyrë fantastike në ekipin e Sinisa Mihajlovic.

Madje, ueb faqja firenzeviola.it shkruan se Behrami është xhevahiri i ri i Fiorentinës. Në ndeshjen e fundit, fundjavën që shkoi, ekipi vjollcë fitoi ndaj Chievos si udhëtues, gjë e cila i mungonte për një kohë të gjatë këtij ekipi.

Ish futbollisti i Lazios dhe i West Ham Unitedit ka marrë fjalë pozitive nga kritikët e futbollit italian. Kohë më parë, Behrami u tregua modest, duke thënë se objektiv i Fiorentinës këtë sezon është mbijetesa.

Mirëpo, nëse vazhdon me këtë ritëm, ky ekip mund ta kapë edhe pozitën e gjashtë, e cila çon në Europa League. Edhe vetë futbollisti ka thënë se ndihet mirë në Fiorentinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›