Xhon Terri lëshon sfidat e tij: Duam Premier dhe Champions
ndonëse është shumë e vështirë
Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri ende mban shpresa për të mbrojtur titullin e Premierligës dhe të fitojë Ligën e Kampionëve këtë sezon. Blutë ende kanë gjasa për të paraqitur kandidaturë për titull në ligë, pas rikthimit në formë të mirë me serinë prej pesë ndeshjeve pa humbje. Çelsi, që gjendet në vendin e katërt, ka dy pikë më pak se Mançester Siti, para përballjes me ta në javën e ardhshme dhe nëntë më pak se lideri Mançester Junajtid, por me një ndeshje më pak të zhvilluar. “Nuk do të dorëzohemi. Ajo çka mund të bëjmë, është t’i fitojmë ndeshjet tona, të luftojmë deri në fund dhe të shohim se çka ndodh në krye. Tifozët tanë duhet të ruajnë besimin te ne këtë sezon dhe ne u kemi borxh atyre të përfundojmë fuqishëm sezonin, të tregojmë kualitetet tona dhe të marrim rezultate të mira”, tha Terri për ‘Sky Sports Neës’. Përveç Premierligës, ylli anglez synon të sjellë trofeun e Ligës së Kampionëve në ‘Stamford Bridge’. Çelsi është favorit për kualifikim në çerekfinale pas fitores 2-0 në udhëtim të Kopenhagenit në ndeshjen e parë. “Ne ende mund ta bëjmë këtë një sezon të mirë. Është koha të tregojmë se çka jemi në gjendje të bëjmë. Kjo është periudhë vendimtare për ne”, përfundoi ai.