E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stabilizohet Kastrati

Flamur Kastrati është në gjendje më të mirë, pas incidentit që e pësoi të dielën, kur mbeti pa vetëdije për 12 minuta. Sulmuesi kosovar është në gjendje stabile. Mjekët e spitalit në Cottbus kanë konstatuar se 19 vjeçari fatmirësisht nuk ka dëmtuar pjesët vitale të kokës, kur të dielën mori një goditje, pas një dyluftimi me një lojtar kundërshtar në ndeshjen Cottbus-Osnabruck. Nga Express më 15 mars 2011 në ora 12:52

Flamur Kastrati i ka shpëtuar më të keqes, pasi mbeti pa vetëdije për 12 minuta të dielën, kur mori një goditje prapa kokës pas një dyluftimi me lojtarin kundërshtar Markus Brzenska, në ndeshjen e ligës së dytë gjermane ndërmjet ekipit të tij të ri, Vfl Osnabruck dhe Energie Cottbus.

Të dielën mbrëma, sulmuesi i ri kosovar i është nënshtruar rezonancës magnetike në kokë, pas së cilës mjekët kanë konstatuar se ai nuk i ka dëmtuar pjesët vitale të kokës. 19 vjeçarit i është kthyer vetëdija dhe është në gjendje shumë më të mirë, sigurisht nën mbikëqyrje mjekësore. “Kastrati është vigjilent dhe i vetëdijshëm”, thonë nga spitali i qytetit në Cottbus.

Udhëheqësit e Osnabruck janë qetësuar paksa pas dramës që e përjetuan të dielën, kur në minutën e 81-të, Kastrati, i cili është huazuar për një sezon nga Twente, humbi vetëdijen dhe mbeti në tokë rreth 12 minuta duke u kontrolluar nga mjekët e të dyja skuadrave, para se të transportohej me veturën ambulante në spital.

“Kurimi primar i tij është kryer në mënyrë të shkëlqyeshme në klinikën e Cottbusit, me të cilën jemi në kontakte të vazhdueshme. E dimë se lojtari ynë është në duar të sigurta”, ka thënë drejtori sportiv i Osnabruck, Lothar Gans.

Se sa do të qëndrojë Kastrati në këtë spital, ende nuk dihet, por mjekët e spitalit të Cottbusit kanë siguruar se Kastrati do ta rimarrë veten shumë shpejt dhe do t’i kthehet jetës normale.

Përkrah futbollistit me nënshtetësi norvegjeze po rrinë familjarët, të cilët kanë arritur në Cottbus. Edhe trajneri i Cottbus, Pele Wollitz, por edhe lojtarët, kanë planifikuar t’ia bëjnë një vizitë futbollistit kosovar.

Pas lëndimit të Kastratit të dyja skuadrat, madje edhe tifozët, kërkuan nga gjyqtari Marc Seemann që ta ndërpriste ndeshjen. Mirëpo, ky i fundit veproi sipas rregullave dhe e shtyu takimin për 14 minuta.

Por, lojtarët e të dyja skuadrave u treguan mjaft profesionistë, pasi që ato 14 minuta që mbetën i luajtën duke pasuar mes vete topin pa rrezikuar fare portat. Skuadrat më nuk dëshironin të luanin. Sa për informatë, Cottbus e fitoi ndeshjen me rezultat 2:0.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›