E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Gati ligji për njohjen e kualifikimeve jashtë vendit

 

Kualifikimet e studentëve dhe akademikëve shqiptarë do të njihen edhe jashtë vendit. Ministria e Arsimit do të dërgojë shumë shpejt për miratim Ligjin për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve. “Ky ligj, i bazuar në 8 shkallët e Kornizës Evropiane të Kualifikimeve, jo vetëm do të lehtësojë njohjen ndërkombëtare të kualifikimeve shqiptare të të gjitha niveleve të shkollimit, por edhe do të rrisë detyrimet e përmirësimit të cilësisë së arsimimit dhe të të mësuarit gjatë gjithë jetës”. Këtë deklaratë bëri dje ministri Fatos Beja. I pranishëm në konferencën për arritjet në reformat arsimore me pjesëmarrjen e drejtorëve të Arsimit Rajonal të vendit, ministri Beja u ndal në formatimin e shkollës së mesme. “Tashmë janë hartuar kurrikulat, të cilat konsiderohen pjesë e një strategjie evropiane”, tha Beja, duke shtuar se shkolla shqiptare ka nevojë për më shumë autonomi në vendimmarrje. “Ne po punojmë gjithashtu që tekstet të çlirohen nga akademizmat e tepruara. Duke i përshtatur sipas standardeve të Bashkimit Evropian”, nënvizoi ministri. Ai bëri me dije se së shpejti parlamenti do të miratojë ligjin e ri për arsimin e mesëm profesional. “Miratimi i këtij ligji është një hap mjaft i rëndësishëm për përgatitjen e të rinjve profesionistë”, tha ministri. Duke u ndalur në rritjen profesionale të mësuesve, Beja vlerësoi se punësimi dhe emërimi i tyre  dhe drejtuesve të shkollave duhet të jetë një proces transparent dhe i decentralizuar”. Sipas tij, në kuadër të nismës “Shqipëria në moshën e internetit” janë përgatitur kontratat për këtë sistem me 665 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin. Sipas ministrit, cilësia e mësimdhënies në universitete, sidomos e  diplomave të dhëna, ngelet një gur prove jo vetëm për secilën shkollë të lartë publike dhe private, por edhe për të gjithë aktorët e Arsimit të Larte në Shqipëri. “Ne jemi të vendosur që në muajt e ardhshëm ta bëjmë këtë një nga prioritetet e punës së MASH”, deklaroi Beja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›