“Dosja në gjyq edhe pa praninë e Bashës”
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria mund të veprojë me avokat kryesisht, në rast se Ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe mbrojtja e tij vazhdojnë mosparaqitjen në organin e akuzës. Dy ditë më parë, organi i akuzës deklaroi se më 6 dhjetor 2008 do t’i mbyllë hetimet për dosjen “Durrës-Kukës”, duke dërguar të pandehur në gjykatë ish-Ministrin e Transporteve Lulzim Basha dhe ish-shefin Juridik Andi Toma. Akti i mbylljes së hetimeve sipas procedurave kërkon praninë e të pandehurve ose avokatëve të tyre. Për këtë shkak, prokuroria deklaroi se nëse ministri Basha dhe mbrojtja e tij nuk paraqiten deri më 6 dhjetor 2008, atëherë dosja dërgohet në Gjykatën e Lartë, të cilës i kërkohet ekzekutimi i vendimit të prokurorisë. Mirëpo Ministria e Jashtme ka bërë publike botërisht axhendën zyrtare të ministrit Basha, ku vihet në dukje se deri më 7 dhjetor, pra një ditë në tejkalim të afatit që ka vendosur prokuroria, ish-kreu i Ministrisë së Transporteve do të jetë jashtë vendit. Në kushtet e mosparaqitjes së tij në prokurori, organi i akuzës tha se nëse edhe mbrojtja e Bashës nuk paraqitet deri më 6 dhjetor 2008, atëherë do të veprohet me avokat kryesisht.
Mbyllja e dosjes
Sipas kësaj procedure, organi i akuzës do të thërrasë një avokat kryesisht, të atashuar si i tillë pranë Gjykatës së Lartë dhe në praninë e tij do të realizojë mbylljen e dosjes duke e konsideruar avokatin kryesisht si përfaqësues të ministrit Basha, në mungesë të tij. Në prani të avokatit kryesisht mësohet se do të shpallet përfundimi i hetimeve dhe dosja do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Një veprim i tillë duket se do të ndërmerret nga prokuroria edhe për shkak se avokati i zgjedhur nga ministri Basha, u paraqit javën që shkoi në zyrën e prokurorit të çështjes por nuk pranoi të firmoste aktin e marrjes si të pandehur të klientit të tij. Një veprim i tillë i avokatit u bë shkak që prokuroria të ndjekë një procedurë pa shumë precedentë në Shqipëri, duke ia dërguar Bashës njoftimin e akuzës me postë. Më 24 nëntor 2008, në analizë të fakteve, dëshmive dhe provave të mbledhura në dosjen “Durrës-Kukës”, prokuroria pushoi akuzat ndaj Armand Telitit dhe Lejla Saraçit, la në fuqi akuzën ndaj Andi Tomës dhe ngriti akuzë për “shpërdorim detyre” në adresë të ish-Ministrit të Transporteve Lulzim Basha, aktualisht Ministër i Jashtëm. Ky i fundit refuzoi të paraqitet në prokurori në ora 14:00 të 27 nëntorit 2008, kur ishte thirrur në cilësinë e të pandehurit nga prokurori i çështjes Arben Kraja.