E Shtunë, 31 Tetor 2026

Furtunë penalizimesh për mjekët e poliklinikave

 

ZIRINA LLAMBRO

Furtunë masash disiplinore në qendrat shëndetësore në vend. Puna e mjekëve në to lë për të dëshiruar. Mangësi në plotësimin e kartelave, barna me rimbursim pa qenë nevoja, apo pagesa informale. Pas ankesave të pacientëve, këtë e ka konstatuar edhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Jo pak por 54 bluza e të bardha e infermierë janë ndëshkuar për shkelje në punë. “Në total nga Drejtoria e Kontrollit të Jashtëm janë rekomanduar një sërë masash. Përkatësisht “Largim nga detyra si drejtore” për Q. Shëndetësore Delvinë dhe Dushk, “Ndërprerje kontrate” për një mjek në Q.Sh-Kodovjat Gramsh, “Vërejtje me paralajmërim për pushim nga puna” për mjekun e Q.SH.Dushk Lushnjë. Gjithashtu janë është kërkuar  “Vërejtje” për 8 mjekë dhe 5 infermierë, dhe “Heqje e një dite pune” personelit të Q.Sh-Sarandës. Masa administrative ndaj 25 mjekëve të këtij rrethi është 146 000 lekë. Ndërsa janë 13 mjekë të tjerë që do të zhdëmtojnë vlerën e rreth 51 000 lekë”, saktësohet në deklaratën e ISKSH. Sipas specialistëve të tij, në këto qendra shëndetësore janë vërejtur mangësi me administrimin e kartelës së pacientit ku nuk plotësohen të dhënat e domosdoshme sipas praktikës mjekësore, dhe ecuria e sëmundjes  ekzaminimet, konsultat dhe mjekimi. “Ka mungesa të theksuara të ekzaminimeve laboratorike, të cilat shërbejnë si tregues të rëndësishëm për vlerësimin e  gjendjes shëndetësore të pacientit. Kjo kryesisht  për sëmundje të tilla si Astma bronchiale, Insuficienca kardiake kronike, Diabet dhe  Prostate. Pra lëshohen barnat me rimbursimi, pa kryer këto ekzaminime të rëndësishme”, sqarojnë drejtuesit e ISKSH. “Nga kontrollet në rrethe është konstatuar plotësim i numrit të vizitave të një pacienti dy-tre herë brenda ditës, vetëm e vetëm për të rritur në mënyrë artificiale këtë indikator pagese”, thuhet në deklaratën e ISKSH. Problematike paraqitet identifikimi i personave që përfitojnë shërbim shëndetësor dhe zbatimi i tarifave për të pasiguruarit, ku në disa rajone trajtohen “falas” ose “me lekë për mjekun” nga skema e sigurimeve, persona të papajisur me librezë shëndeti dhe nuk priten mandat pagesat përkatëse. “Gjithashtu janë evidentuar shkelje të protokolleve të përdorimit të barnave dhe të kufizimeve të listës, kryesisht për barnat që përdoren në sistemin kardiovaskular, endokrin, urinar”, shprehen specialistët e ISKSH-së.

Penalizimet

Sarandë
“Heqje e një dite pune” personelit të
Q.Sh-Sarandë; Gjoba
25 mjekëve, 146000 lekë
Zhdëmtim ndaj
13 mjekëve, 51118 lekë
Delvinë
Largim nga detyra Drejtoreshës së Q.Shëndetësore
Gramsh
Ndërprerje kontrate për një mjek
Lushnje
Paralajmërim për pushim nga puna për një mjek
 “Vërejtje” për 8 mjekë dhe 5 infermierë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›