“Hipotekat”, pretenca: 23 vjet burg për 6 të akuzuar
TIRANE – Prokuroria kërkoi dje 23 vjet burg për gjashtë të akuzuarit në dosjen “Hipoteka”, të cilët akuzohen të jenë përfshirë në falsifikimin e dokumenteve të një sasie prej 14 mijë metrash katrorë truall në kryeqytet. Prokurori i çështjes i komunikoi të pandehurit Veiz Senko, 55 vjeç, tetë akuza dhe në bashkim të të gjitha dënimeve i kërkoi gjykatës dënimin e tij me 10 vjet burg dhe 50 milionë lekë të vjetra gjobë. Më tej prokurori kërkoi sekuestrimin e celularit të të pandehurit, një sasi prej 3250 eurosh që i ishte kapur në momentin e arrestimit dhe konfiskimin e vilës një katëshe në Golem. Më tej prokurori kërkoi tre vjet e gjysmë burg dhe 7 milionë lekë të vjetra gjobë për Artan Mehmetin, ish-specialist në Zyrën Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërsa për ish-kolegun e Mehmetit, Enton Babameto, prokurori kërkoi dënimin me 2.5 vjet burg e 3 milionë lekë gjobë. Për ish-oficerin e SHKB-së, Dali Hakorja, prokuroria kërkoi dënimin me 2.5 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë. Për Halil Himën u kërkuan 2.5 vjet burg dhe për Agron Tafën u kërkuan 3 vjet burg e 3 milionë lekë gjobë. fa.ma