Takimi, NATO asnjë garanci zgjerimi
Kryeministri Sali Berisha informoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për ecurinë e reformave në vend
"Kemi besim të fortë se Shqipëria do ta kalojë kilometrin e fundit, por për këtë nuk ka garanci, biletat nuk janë prerë"
TIRANË-Pavarësisht optimizmit të shprehur kohët e fundit nga autoritetet shqiptare, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer nuk i ka dhënë asnjë garanci Kryeministrit Sali Berisha se Shqipëria do të marrë ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut, në samitin e Bukureshtit. Sekretari Scheffer tha se, lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ende nuk marrë një vendim, ai do të jetë politike dhe do të merret pasi do të jenë peshuar mirë gjërat. Ndonëse shprehu besimin se Shqipëria do të përmbushë kilometrin e fundit, sekretari Schefer tha se për këtë nuk ka garanci dhe vendimi nuk është marrë akoma. "Në një moment të caktuar NATO do të marrë një vendim politik, duke i peshuar mirë gjerat. Por e përsëris që, asgjë nuk duhet të merret si fakt i kryer, pasi është një proces i bazuar në performancë, dhe ajo pjesë e fundit që është e nevojshme nuk është përfunduar akoma. Por, ambasadorët dhe unë kemi besim të fortë se Shqipëria do ta kalojë kilometrin e fundit, por për këtë nuk ka garanci, biletat nuk janë prerë dhe vendimi nuk është marrë akoma",- u shpreh ai.
Reformat
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka vënë theksin në reformat që duhet të përmbushë vendi ynë, duke deklaruar se ato duhet të jenë të pakthyeshme dhe Shqipëria duhet të bëjë kujdes në reformat në drejtësi, atë të sistemit zgjedhor si dhe në forcimin e kulturës politike në marrëdhëniet pozitë-opozitë. Në takimin e zhvilluar dje me Kryeministrin Berisha, Scheffer i ka bërë të ditur atij se vendimi për në samitin e Bukureshtit nuk është marrë ende dhe Shqipëria nuk duhet të pakësojë forcat e saj në implementimin e reformave esenciale. Sekretari Scheffer është shprehur se, kilometri i fundit drejt marrjes së ftesës në samitin e Bukureshtit është afruar dhe Shqipëria po ecën në rrugë të mbarë, por ka theksuar se është e domosdoshme që zbatimi i reformave të bëhet mbi baza të qëndrueshme dhe zhvillimi i tyre të jetë i pakthyeshëm. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se, është vendimtare për qeverinë shqiptare që procesi i zhvillimit të reformave të jetë i pakthyeshëm dhe ka vënë në dukje hapat serioze të hedhura në drejtim të reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore. Ai u shpreh se, ligji për reformën në gjyqësor do të kalojë në Parlament para samitit të Bukureshtit dhe para prillit do të arrihet një marrëveshje me opozitën për reformën zgjedhore. Në takimin e zhvilluar dje, pak kohë para zhvillimit të samitit të Bukureshtit, përveç nevojës për përmbushjen e reformave, sekretari Scheffer ka bërë edhe një sërë vlerësimesh për arritjet e vendit tonë, ato që do të ndikojnë në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, si roli i Shqipërisë në stabilitetin në rajon; kontributin e Shqipërisë nëpërmjet misioneve paqeruajtëse përkrah trupave të NATO-s në Ballkan Irak, Afganistan; apo vendimin e qeverisë për rritjen me 2 % të GDP-së për forcat e armatosura. Për vendet që aspirojnë në NATO, është shprehur sekretari i përgjithshëm i saj, është e domosdoshme bashkëpunim i mirë me opozitën dhe ndërtimi i një kulture të duhur politike, elementë për të cilat përgëzoi Kryeministrin Berisha. Anëtarësimi ose jo i vendeve të Kartës së Adriatikut në NATO pritet të jetë më i qartë në fillim të muajit mars, kur ministrat e Jashtëm do të takohen në një takim të jashtëzakonshëm në Bruksel, më 6 mars.