Braçe, letër Ramës: Sqarime për lëvizjet e prokurorëve
Nënkryetari i grupit socialist i shkruan Prokurores së Përgjithshme për lëvizjet më të fundit
TIRANË- Reagimi i Partisë Socialiste për lëvizjet e prokurorëve nga kryeprokurorja Ina Rama nuk ka mbetur thjesht në kuadrin e deklaratave publike. Prej dy ditësh, grupi parlamentar i Partisë Socialiste i ka nisur një letër kryeprokurores Ina Rama ku i kërkon shpjegime në lidhje me vendimin e saj, për transferimin dhe pushimin nga detyra të disa prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe atyre në rrethet kryesore. Letra, e cila në emër të deputetëve socialistë është nënshkruar nga nënkryetari i grupit, Erion Braçe, hedh dyshime se këto lëvizje janë joprofesionale dhe të ndikuara politikisht. "Në respekt të shqetësimit të opinionit publik, kërkoj brenda kompetencës tuaj ligjore disa sqarime të mjaftueshme lidhur me emërimet e fundit të kryera në institucionin e Prokurorit të Përgjithshme",- shprehet Braçe në letrën e tij. Duke evidentuar interesin që kanë deputetët socialistë në lidhje me hetimet që po kryhen në procesin e rrugës Rrëshen-Kalimash, Braçe, në letrën e dërguar Kryeprokurores, shpreh shqetësimin për ndikimin që mund të kenë këto lëvizje në këtë proces hetimor. "Grupi ynë i deputetëve, deputetë të opozitës, si dhe opinioni shumë i gjerë publik, ndjek me vëmendje sjelljen e organit të hetimit me çështjen shumë të rëndë që përmbledh procedurat e ndjekura për prokurimin publik, për të gjitha fazat e ndërtimit të rrugës Rrëshen-Kalimash-Kukës-Morinë. Në këtë proces është përfshirë tashmë pa kthim, për shkak të vendimit për dhënien e lejes për procedim penal ndaj ministrit Lulëzim Basha, edhe Kuvendi i Shqipërisë. Pikërisht, kjo na shtyn të kërkojmë sqarime lidhur me rolin e ri që zyra juaj po luan në këto javë. Për ne kanë sjellë shqetësim të madh lajmet e fundit për ndërhyrjen në procesin e hetimit të Presidentit të Republikës, përmes dekretesh që emërojnë e ndërhyjnë në grupin e prokurorëve që hetojnë në këtë çështje",- theksohet më tej, në letrën e grupit parlamentar socialist. Më konkretisht, socialistët shprehin shqetësim për lëvizjen e prokurorit Xhevat Hana nga hetimi lidhur me dy çështje shumë të rëndësishme, siç është ajo e rrugës Rrëshen-Kalimash-Kukës-Morinë apo edhe tjera, që ka të bëjë me zhdukjen e shtetasit Remzi Hoxha. "Lëvizja e Xhevat Hanës hedh hije dyshimi mbi qëllimet e reja të Presidentit dhe zyrës tuaj, lidhur me hetimet e këtyre dy çështjeve",- theksohet në letrën në fjalë. Gjithashtu, në këtë letër emërimet e fundit në sistemin e Prokurorisë konsiderohen si të papërputhura me rregullat e karrierës veçanërisht për prokurorët e titulluar "Prokurorë në Prokurorinë e Përgjithshme", për të cilët transferimet janë ulje në detyrë. "Duke u nisur nga këto fakte ne mendojmë se do të duheshin sqarime të mjaftueshme për të bindur deputetët, si dhe opinionin publik, se lëvizjet e fundit nuk kanë qëllim ndryshimin e sjelljes së prokurorisë përtej kontureve që i cakton ligji, në dëmtim të realizimit të hetimeve të plota lidhur me këtë çështje",- thuhet në letër.