Braçe: PS të mos flirtojë me Metën, duhet t’i bëjmë opozitë qeverisë
Një afrim i mundshëm mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk shihet si domosdoshmëri nga të gjithë socialistët. Përkundër zërave që e vlerësojnë këtë gjë si të mundshme dhe të kohës, deputeti Erion Braçe, i cili pas zgjedhjeve të 8 majit është shfaqur gjithnjë e më shumë kritik ndaj qëndrimeve të lidershipit të PS, shprehet në mënyrë kategorike, kundër një bashkëpunimi të tillë PS-LSI. Dhe kjo për një arsye të thjeshtë, nuk mund të ketë bashkëpunim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta.
Deklarata
Ashtu siç e ka bërë zakon kohët e fundit, deputeti socialist Erion Braçe ka preferuar sërish të ndajë mendimet e tij politike, me mbështetës apo miq e shokë, me anë të rrjetit social Facebook. Duke marrë shkas pikërisht nga debati i hapur sëfundmi, për një kurs të ri politik dhe ndoshta një afrim të ri me Lëvizjen Socialiste për Integrim, nënkryetari i grupit socialist shprehet në faqen e tij në internet, se detyra e Partisë Socialiste është të bëjë opozitën ndaj qeverisjes së vendit, Berisha-Meta, dhe jo të bashkëpunojë me ndonjë prej tyre. “Kemi detyrë të bëjmë opozitë ndaj Berisha-Metës, jo të flirtojmë me njërin prej tyre!”, - shprehet Braçe, në statusin e vet në Facebook. Më tej, ai lë të kuptohet se ajo që duhet të trajtohet në këtë debat nuk është thjeshtë pesha, apo numrat e votave që ka Lëvizja Socialiste për Integrim në elektorat dhe roli përcaktues që mund të ketë ajo në balancat politike në vend, por së pari duhet të diskutohet për drejtuesin e saj Ilir Meta. “Për të disatën ditë rresht po lexoj deputetë të Partisë Socialiste që i përgjigjen një pyetje standarde e të qëllimtë për LSI!!! Askush nuk i pyet për udhëheqësin e kësaj partie, por thjesht për "faktorin" numerik LSI. Boll u morëm me të! Të merremi me minatorët!”, - shprehet Erion Braçe.
Hapja
Ndërkohë që në një tjetër status të vendosur në këtë faqe, deputeti socialist komenton edhe kursin e ri që duhet të ndjekë PS, duke bërë të ditur se kjo forcë politike duhet të hapet kundrejt intelektualëve dhe jo ndaj atyre personave që mendojnë për një karrige pushteti. “Detyra e Partisë Socialiste është të hapet për intelektualët e angazhuar, jo të votojë burrat karrige!”, - shprehet ndër të tjera deputeti Braçe.
Debati më i fundit për rikthimin e aleancës PS-LSI mori më shumë hapësirë, pasi kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, la të kuptohej në një intervistë se përpara largimit nga pushteti të Berishës, një koalicion me Metën e LSI do të kishte më pak kosto. Në fakt nuk dihet se ç’mendim ka për këtë aleancë kreu i PS-së, Rama, i cili në prononcimet e fundit e ka hedhur poshtë rishikimin e qëndrimit për LSI.