Tatimet apel në prag të fushatës: Bizneset të paguajnë në kohë detyrimet fiskale
Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani i ka lëshuar një apel sensibilizues partive dhe forcave politike shqiptare që të bëjë kujdes me propagandën e tyre në lidhje me pagesat e taksave dhe tatimeve. “Do të doja ti bëja një apel politikës e cila duhet të bëjë kujdes me sistemin fiskal, kërkoj që të jetë korrekte me detyrimet ndaj shtetit”- shprehet Drejtori i Përgjithshëm, Papajani. Sipas tij, taksat nuk kanë ngjyrë, ndaj ato duhet të paguhen nga cilido, pasi të gjithë kërkojnë para, arsimi, ushtria, policia apo shëndetësia. Të gjithë duhet të kontribuojmë për buxhetin e shtetit. “Subjektet e biznesit nuk duhet të përfitojnë nga fushata zgjedhore dhe të shpresojnë në faljen e detyrimeve tatimore, por duhet t’i paguajnë ato në kohë për të mos u kthyer në debitorë”,-ka deklaruar dje kreu i Tatimeve. Në çdo vit elektoral ekziston rreziku që biznesi të shmangë detyrimet që ka ndaj shtetit, për ti vënë ato në shërbim të fushatës elektorale të partive të ndryshme. Përballë tatimorëve situata elektorale mbetet edhe më e vështirë, se efektet negative të krizës ekonomike. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka thënë më tej se, biznesi tashmë është ndërgjegjësuar për pagesat e tij ndaj shtetit. “Situata aktuale fiskale duket optimiste. Si 4-mujorë janë mbledhur rreth 5 miliard lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. E përkthyer në përqindje, rritja është 12 për qind më shumë”- ka deklaruar kreu i Tatimeve, Papajani. Mbledhja e të ardhurave vlerësohet si pozitive, duke mos u ndikuar as nga fushata zgjedhore dhe as nga efektet e krizës. Papajani shpjegon se, “kjo është një rritje normale ekonomike, fushata zgjedhore apo efektet e krizës nuk kanë prekur ende financat publike”. Megjithatë, sfida e tatimoreve mbetet në dy muajt në vazhdim, maj-qershor, kohë kur aktivitet politike bëhen edhe më intensive, si dhe kërkesa për financimin e tyre sa vjen dhe rritet. Rasti më tipik i kësaj situate është financimi i partive. Partitë politike asnjëherë nuk kanë bërë publike shumat e mëdha që përdorin për fushatë. Ndërkohë që një gjë është e sigurt, nëpërmjet taksapaguesve këto para në vend që ti shkojnë buxhetit të shteti kalojnë për partitë.
6 Maj 2009