E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Rreth 300 shkolla nuk kanë klasa, bëjnë mësim me dy turne

 

Ajo çka u paralajmërua pa nisur shkolla, pranohet hapur nga Ministria e Arsimit. Reforma për kalimin nga sistemi 8-vjeçar në atë 9-vjeçar, po përballet me probleme serioze. Në mungesë të ambienteve, nxënësit detyrohen të bëjnë mësim me 2, madje dhe me 3 turne. Janë jo pak, por 307 shkolla, të cilat e kanë të pamundur të përballojnë fluksin. Pjesa më e madhe e tyre në Tiranë. Ministri i Arsimit Fatos Beja, deklaroi dje në komisionin parlamentar të Edukimit se për shkak të mbipopullimit, është e domosdoshme marrja e ambienteve me qira. "Mjaft problematike paraqitet situata në qytetin e Tiranës dhe në rrethinat e tij si Kamëz e Qesarakë, ku mësimi kryhet jo me një e dy, por me tre turne", tha Beja. Ai shtoi se MASH, ka marrë me qira  ambientet e 21 lokaleve pranë shkollave për të përballuar numrin e madh të nxënësve në sistemin 9-vjeçar. Po t'i referohesh statistikave të ministrisë, aktualisht mësim me dy turne bëjnë 16 % e shkollave në rang vendi. Por gjatë raportimit të tij në komision, ministri Beja fajësoi pushtetin vendor, se nuk ka respektuar afatet për rikonstruksionin e disa shkollave. "Është një numër i konsiderueshëm shkollash, të cilat duhet të kishin përfunduar me çeljen e vitit shkollor, por u bënë gati dy muaj dhe punimet vazhdojnë ende. Kjo është një pengesë serioze për realizimin e procesit mësimor", tha Beja.
Universitetet private
Vetëm për vitin 2008 kanë marrë licencë nga Ministria e Arsimit dhe e shkencës 7 universitete private, duke e çuar numrin e tyre në 20. Këtë bëri me dije ministri i Arsimit, Fatos Beja. Ai pranoi se vetëm 4 prej tyre janë të akredituar. Mungesa e akreditimit bën, që për një pjesë të konsiderueshme të këtyre shkollave të larta të hidhen dyshime për cilësinë e mësimdhënies. Por kjo është vetëm një nga "boshllëqet", që sjell pamundësia për të matur standardet. Në pikëpyetje vihen diplomat që lëshojnë këta institucione. Ndonëse ministri i Arsimit ka raportuar shifrat, nuk ka bërë asnjë deklaratë, se çfarë e pengon dikasterin, që ai drejton për të çuar drejt përfundimit akreditimin e të gjithë universiteteve private. Jo pak jehonë iu bë kompanisë se huaj, që pritej të pajtohej për të monitoruar punën në këto institucione, por duket gjithçka ka mbetur pezull.                      z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›