Legalizimet, nis gjyqi për kompetencat e ALUIZNI
Aristir Lumezi
Gjykata Kushtetuese nisi dje gjykimin e kërkesës së deputetëve socialistë, të cilët kontestojnë ligjin e Legalizimeve. Në kërkesën e tyre ata cilësojnë antikushtetuese kompetencat e ALUIZNI-t, agjenci që merr atributet e pushtetit vendor në procesin e legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Gjykata hodhi poshtë kërkesën e deputetëve për pezullimin e vendimit të kuvendit, deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga kjo gjykatë. Në seancën e djeshme, mbrojtja që përfaqësuesit e Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave i bënë ligjit të Legalizimeve dhe kompetencave të ALUIZNI-it, ishte më shumë politike sesa juridike, duke mos gjetur shpjegime të bazuara në Kushtetutë për këto kompetenca. Antikushtetutshmëria e ndryshimeve, pasojat që sjell zbatimi i tij në mosfunksionimin e kompetencave të pushtetit vendor dhe pengesat praktike, që vijnë nga përplasjet e krijuara mes ALUIZIN-it qeverive të pushtetit vendor, bashki e komuna, si dhe mënyra e gjykimit dhe vendimmarrjes në Gjykatën Kushtetuese, ishin argumentet e përdorura nga përfaqësuesi i deputetëve të opozitës, Artan Hajdari, para Gjykatës për të rikërkuar pezullimin e ligjit deri në dhënien e vendimit përfundimtar prej saj. Përfaqësuesi i Kuvendit, Lulëzim Lelçaj, tha se ndryshimet që i janë bërë ligjit të Legalizimeve nuk kanë prekur Kushtetutën dhe Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore. Por Lelçaj nuk gjeti dot përgjigje ndaj pyetjeve të gjyqtarëve kushtetues, se përse legjislatori ka bërë ndryshime, kur vetë ai ka miratuar një ligj të tillë dy vjet më parë, apo se si është justifikuar kalimi i një sërë kompetencash nga qeverisja vendore tek ALUIZNI. Edhe përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave, Marsida Xhafellari, nuk arriti të jepte argumente për të kundërshtuar kërkesën e deputetëve socialistë. Ajo i justifikoi ndryshimet në ligj me parimin e proporcionalitetit dhe të diktuara nga nevoja e përshpejtimit dhe unifikimit të procesit të legalizimeve. Xhafellari pranoi faktin se ALUIZNI nuk ishte një organ i përhershëm, por nuk dha përgjigje se përse derisa ishte i tillë nuk kishte afate të përfundimit të punës së tij. Në pozicionimin e qeverisë kundër kërkesës së deputetëve, Xhafellari, ashtu si dhe përfaqësuesi i Kuvendit, më shumë se mbi thelbin e kërkesës u morën me procedurat e miratimit të tij, duke deklaruar se ligji "Për legalizimin" nuk është një ligj që cilësohet nga Kushtetuta për t'u miratuar me shumicë të cilësuar. Por ajo mbrojti nuk dot para Gjykatës Kushtetuese se përse ky ligj ishte miratuar me tre të pestat, kurse ndryshimet e tij me shumicë të thjeshtë. Kreu i Gjykatës Kushtetuese premtoi dje se vendimi përfundimtar për këtë çështje do të jepet në një kohë sa më të shpejtë të mundshme, ndërkohë që ky ligj vazhdon të veprojë.