Xhufi: PS-PD po dështojnë zgjedhjet
Lëvizja Socialiste për Integrim fajëson dy partitë PD dhe PS për mos realizimin e reformës zgjedhore. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi në konferencën e djeshme për shtyp akuzoi socialistët dhe demokratët për bllokim të procesit, e kjo në mënyrë të qëllimshme, që Kodi i ri Zgjedhor të miratohet në minutat e fundit. "Pasi ndërtuan në mënyrë të njëanshme një makrostrukturë dushkiane me ndryshimet kushtetuese, PD dhe PS po montojnë, gjithmonë larg institucioneve, edhe infrastrukturën përkatëse, Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor është një tjetër histori dështimi i dyshes përjashtuese PD e PS. Ky është gjykimi ynë politik", deklaroi Xhufi. Sipas kreut të grupit parlamentar "E majta për Integrim", Xhufi, kjo lihet që të realizohen qëllimisht në minutën e fundit. "Ne duam të denoncojmë me forcë faktin që komisioni ad-hoc për hartimin e Kodit, që duhej të mblidhej ditë e natë për të fituar kohën e humbur, është mbledhur herën e fundit më shumë se para dy javësh. Është e qartë që bashkëkryetarët e tij, që përfaqësojnë PD dhe PS, e kanë futur këtë komision në hullinë e Komisionit të dështuar të Reformës Zgjedhore, i cili në gjashtë muaj nuk u mblodh qëllimisht nga të njëjtët bashkëkryetarë as dhe një herë të vetme", theksoi Xhufi.