Të zhdukurit e Butrintit,kërkime në gjithë vendin
Dashamir Biçaku
Policia shqiptare po kërkon në të gjithë vendin për persona të tjerë të humbur pas përmbysjes së varkës me klandestinë në Butrint dhe të dhënave se mund të jenë mbytur persona të tjerë ende të pagjetur.
Në një deklaratë publike mbrëmjen e djeshme, policia tha se komisariatet në të gjithë vendin po verifikojnë nëse ka persona të larguar nga shtëpia ditët e fundit apo denoncime për të zhdukur. Kërkesa drejtuar të gjithë komisariateve për verifikime lidhur me persona të humbur, është bërë dje pas gjetjes së dy kufomave që i përkasin personave që nuk dihej më parë se kanë qenë në varkën e tragjedisë. Policia e Shtetit publikoi dje emrat dhe fotot e gjashtë personave të akuzuar si organizatorë të linjës së trafikut nga Butrinti, të cilët shkaktuan tragjedinë e fundit. Ata janë Dashamir Mane, Brahim Madhi, Hyqmet Sollaku, Albert Gega, Bashkim Sena dhe Ahmet Bushi. Sipas policisë, organizatorët janë zbuluar nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra të mbijetuarve. Nga 6 personat e identifikuar si organizatorë, policia ka arrestuar vetëm dy prej tyre, Ahmet Bushin dhe Bashkim Senën, ndërsa të tjerët janë shpallur në kërkim.
Klandestinët
Konkluzionet paraprake të hetimit kanë zbuluar se klandestinët janë rekrutuar, strehuar dhe transportuar nga personat që udhëhoqën tentativën e kalimit përmes liqenit të Butrintit, me qëllim kufirin ilegal me Greqinë. Hetimet e policisë, por edhe deklarimet e 27 personave të shoqëruar në ambientet e komisariatit të Sarandës, kanë zbuluar skemën e trafikut dhe veprimet e organizatorëve. Akuza e ngritur ndaj të pandehurve për këtë çështje është "dhënie ndihme në kalim të paligjshëm të kufirit me pasojë vdekjen". Për dokumentimin e ngjarjes, hetuesit kanë regjistruar deklarimet e të gjithë të mbijetuarve, të cilët kanë treguar se ishin lidhur dhe kishin komunikuar me trafikantët, të cilët më pas i kanë orientuar dhe transportuar në drejtim të Sarandës. Pasi janë grumbulluar në qytete të ndryshme, personat kanë mbërritur në Sarandë e më pas janë drejtuar për në kanalin e Çukës, ndërsa më pas me varkë do të kalonin në afërsi të Viviarit, për të dalë në fshatin Xarë për të kaluar më pas në Greqi. Policia tha se nga verifikimet e saj është mësuar se personat nuk kanë pasur njohje me njëri-tjetrin, duke qenë se janë mbledhur nga qytete të ndryshme të vendit. Këto rrethana, sipas policisë, kanë krijuar vështirësi në identifikimin dhe më pas gjetjen e personave, të cilët rezultojnë të humbur.
Organizatorët e trafikut
1. Dashamir Mane
2. Brahim Madhi
3. Hyqmet Sollaku
4. Albert Gega
5. Bashkim Sena
6. Ahmet Bushi
“Moratoriumi s’është për varkat”
TIRANE - Reagimet dhe interpretimet politike lidhur me tragjedinë e ndodhur së fundi në Butrint, përfshinë dje edhe ligjin e shumëpërfolur të moratoriumit antiskaf. Pas këtyre akuzave, burime nga policia janë shprehur se moratoriumi antiskaf nuk ka për objekt varkat e drurit, siç ishte rasti i asaj të Butrintit, e për rrjedhim policia nuk mund të fajësohet se nuk ka bllokuar mjetet lundruese në fjalë. "Në mënyrë të qartë është shkruar në ligj se moratoriumi ka efekt ndalues për mjetet lundruese motorike që përdoren dhe deklarohen për qëllime transporti", thanë burimet policore.
Rama: Berisha, përgjegjës për tragjedinë e Butrintit
Kreu i socialistëve Edi Rama akuzoi dje Kryeministrin Sali Berisha si përgjegjës kryesor të tragjedisë së Butrintit, ku humbën jetën një nënë dhe foshnja e saj 3 muajshe. Këtë deklaratë kryesocialisti e bëri dje në një konferencë për shtyp në selinë e PS. Me një lumë akuzash për korrupsion dhe paaftësi në qeverisje ndaj kryeministrit Berisha, Rama e "kurorëzoi" kryeministrin si përgjegjësin kryesor të ngjarjes së rëndë. "Sali Berisha është përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj tragjedie. Berisha ka përgjegjësi, sepse paaftësia dhe papërgjegjshmëria që ka kapur kryeministrin, çoi në këtë ngjarje të rëndë. Ai është kthyer në sekser i botës së të paligjshmes, nga njëra anë, nga ana tjetër ana tjetër i medaljes është ai që justifikon të pajustifikueshmit", tha Rama. Duke kujtuar se Shqipëria është ende në periudhën e moratoriumit të mjeteve lundruese, Edi Rama e cilësoi këtë, si gabimin e radhës së qeverisë. "Mos harrojmë që jemi në periudhën e "Detit të Ngrirë" për lëvizjen e lirë të mjeteve. Jemi nën një moratorium për të cilin kryeministri i fundit shiti shumë mend dhe penalizoi shumë subjekte dhe individë duke u marrë shqiptarëve detin e tyre dhe duke e kthyer detin nga një burim mirëqenie në një peng të propagandës së qeveritarëve", tha Rama, duke shtuar se "moratoriumi i pushtetit të Sali Berishës, ekzekutohet vetëm për ata që nuk kanë nevojë për masa penalizuese ... dhe nuk funksionon për trafikantët që përfitojnë nga varfëria". PS përsëriti se vazhda e tragjedive, që po pushtojnë vendin burojnë nga varfëria që ka pushtuar shqiptarët. "Viktimat e Butrintit janë viktima të një ëndrre të mbytur, thjesht sepse të mbetur pa punë dhe pa shtëpi mundohen ta kërkojnë gjetkë mbijetesën e tyre", tha Rama. Sipas PS, kjo tragjedi "ndihmoi" vrimën e zezë e korrupsionit të dilte në dritën e diellit dhe t'u bashkohet katër vrimave të zeza në të katër anët e vendit, që ka pushtuar tërë sektorët. "Berisha nuk di të mbrojë qytetarët e tij", përfundoi fjalën e tij në konferencën për shtyp, Edi Rama.