Zbulohet skandali me tokat turistike
Fabiola Çela
KLSH ka zbuluar abuzime me ndarjen e tokave bujqësore në Voskopojë. Shumë prej personave, që kanë përfituar toka bujqësore në Voskopojë nga ligji nr7501 nuk kanë qenë banorë të ish-kooperativës. Ekspertët e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë evidentuar 22 raste të tilla. Këto familje kanë përfituar në mënyrë të padrejtë një sipërfaqe toke prej 366.710 m2. Ndërkohë 64 familje të tjera po në Voskopojë në sajë të ligjit nr7501 kanë përfituar tokë bujqësore më shumë se i takonte. Këto familje kanë përfituar në mënyrë të padrejtë 564950 m2 tokë. Por shkeljet në zyrën e regjistrimit të pasurimeve të paluajtshme në Korçë nuk përfundojnë me kaq. Ekspertët e KLSH-së kanë evidentuar 40 raste kur trojet janë ndarë për tokë bujqësore. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 21.680 m2 e cila është ndarë në mënyrë abuzive. Ndërkohë në dy raste të tjera për një sipërfaqe toke prej 17 mijë m2 ka rezultuar se për të njëjtin person janë plotësuar dy akte të marrjes së tokës në pronësi. Gjatë kontrollit, ekspertët e KLSH-së kanë evidentuar shkelje edhe në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Lezhë, Komunën Buçimas (Pogradec), në projektin 'Ujitja e fushës së Korçës'. Por shkelje janë konstatuar edhe në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Shkodër. Periudha e kontrollit të KLSH-së përfshin vitet 2006-2007.
Trojet
Shkelje dhe abuzime janë konstatuar edhe në ZVRPP-ë e Lezhës. Në zonën urbane janë konstatuar 20 raste, ku janë regjistruar objekte të ndryshme si pallate, qendra biznesi, lokale etj., për interesa biznesi, por pa pasur me parë një kontratë qiraje për truallin apo kontrata qiraje, pra nuk është bërë lidhja e truallit me objektin. Shkelje janë gjetur edhe afër bregdetit. Kështu është regjistruar një sipërfaqe prej 2621 metra tokë pyll në pasurinë shtet vetëm 20 metra larg ranishtës, në një kohë kur distanca duhet të ishte 40 metra larg ranishtës apo e thënë ndryshe larg detit Adriatik. Ndërkohë është regjistruar si i ligjshëm një objekt mbi 3 kate me pishinë dhe me 15 kabina, i cili është ndërtuar jashtë pronës që i përket. Pra, ky objekt është ndërtuar në pronë publike buzë detit. Abuzimit me ndarjen e tokave nuk i ka shpëtuar as ishulli turistik i Shëngjinit. Në këtë zonë janë regjistruar dhe janë pajisur me certifikata pronësie 152.460 m2 në llojin e pasurisë 'Arë', duke u zëvendësuar me pasurinë 'Kënetë'. Projekti "Ujitja e fushës së Korçës", ka dështuar. Ky projekt kishte një vlerë prej 6.5 milionë dollarë dhe kishte si qëllim rehabilitimin e një sipërfaqeje prej 7 mijë hektarësh në fushën e Korçës. Por ekspertët e KLSH-së kanë konstatuar se si pasojë e abuzimeve që janë kryer në këtë projekt dëmi financiar arrin në 20.7 milionë lekë.
OSSH
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kaluar në skanerin e tij edhe OSSH-në e Shkodrës. Sipas kontrollit të KLSH-së, humbjet në rrjet janë tejkaluar duke arritur në 50.7 për qind. Gjatë vitit 2007 është vënë re se niveli i pagesës së energjisë elektrike në këtë qytet ka qenë i ulët konkretisht 49.3 për qind. Sipas KLSH-së në disa raste në kundërshtim me ligjin "Për miratimin e rregullave të prokurimit publik", është lejuar copëzimi i fondeve, janë shmangur procedurat e tenderimit dhe në disa raste është tejkaluar vlera limit e lejuar. Gjatë vitit 2007 niveli i faturimeve ka qenë më i ulët se programimi, pra është arkëtuar vetëm 63.7 për qind e energjisë. Por kjo situatë sipas KLSH-së, në tremujorin e parë të këtij viti ka ndryshuar, pasi niveli i arkëtimeve ka rezultuar 60 për qind. Gjatë vitit 2007 është rritur numri i faturave zero për 3226 abonentë, kryesisht për klientët familjarë, privatë e buxhetorë por në fund të 3-mujorit të parë të 2008-ës këto faturime kanë pësuar rritje krahasuar me fillimvitin. Gjithashtu, është konstatuar një dëm ekonomik në lidhjet e reja, si pasojë e moszbatimit të procedurave të aplikimit dhe të llogaritjes së tarifave për 42 praktika me një vlerë mbi 1 milion lekë në njësitë Lezhë dhe Shkodër. Në një situatë të tillë, KLSH ka rekomanduar ndjekje penale për pesë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave në OSSH-në e Shkodrës.
Shkeljet në Voskopojë
366710 m2 tokë u është dhënë personave, që nuk kanë qenë banorë të ish-kooperativës
564.950 m2 më tepër u është dhënë banorëve, duke përfituar nga ligji nr.7501
21680 m2 është ndarë si tokë bujqësore, por që në të vërtetë është tokë truall
17000 m2 tokë bujqësore është ndarë në kundërshtim me ligjin nr.7501