E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëlloi ndaj policit, në kërkim

 

DURRES / OERD ULQINI

Një 34-vjeçar është shpallur në kërkim, pasi tentoi të qëllonte me pistoletë një polic në shërbim. Për fat të mirë pistoleta e tipit "Zastava" e mbushur me tre fishekë, të cilën e mbante në dorë Shyqyri Tatari ka shkrehur në drejtim të policit, por pa realizuar qitje. I ndodhur përballë kësaj situate, edhe punonjësi i policisë ka nxjerrë armën e tij të brezit dhe i ka bërë thirrje Tatarit të dorëzojë armën. Ky i fundit, si rezultat i situatës së krijuar ka mundur të shkëputet dhe në largim e sipër, në kohën kur po ndiqej nga punonjësi i policisë, ka kryer edhe një shkrepje tjetër në drejtim të këtij të fundit, por arma përsëri nuk ka realizuar qitje. Në ndjekje e sipër punonjësi i policisë i bën thirrje Shyqyriut se nëse nuk ndalon, ai do të jetë i detyruar të qëllojë në drejtim të tij. Ky i fundit duke mos pasur mundësi tjetër hedh armën dhe largohet me shpejtësi. Gjithçka nisi në orën 03:00 të mëngjesit në lagjen katër të Durrësit, kur shtetasi Shyqyri Tatari, që drejtonte një "Alfa Romeo", është përplasur me një automjet të parkuar në anë të rrugës me targa TR 0731 F, pronë e shtetasit G.P. Pas aksidentit në vendin e ngjarjes ka shkuar një grup i patrullës së përgjithshme të policisë, i cili ka kryer veprimet administrative për shkelje të normave të Kodit Rrugor. Më pas shtetasi Shyqyri Tatari është rikthyer në vendin e ngjarjes, ku është konfliktuar lidhur me dëmin e shkaktuar me pronarin e automjetit të dëmtuar, shtetasin G.P., të cilin ka tentuar ta nxjerrë me forcë jashtë lokalit ku ky i fundit punonte. Në këtë moment ka ndërhyrë një efektiv i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, i ndodhur në vendin e ngjarjes, i cili edhe pse është prezantuar si punonjës policie duke paraqitur dokumentin e policisë, shtetasi Shyqyri Tatari ka vazhduar veprimet duke e sharë dhe fyer rëndë atë si dhe duke marrë forcërisht jashtë ambienteve të lokalit shtetasin G.P. Sapo kanë dalë jashtë, punonjësi i policisë ka ndërhyrë për të ndërprerë veprimet e mëtejshme të shtetasit Shyqyri Tatari, i cili në këtë moment ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri pistoletë, me të cilën ka kryer një shkrepje në drejtim të punonjësit të policisë, por pa mundur ta godasë, pasi arma nuk ka realizuar qitje. Policia ka arritur të bllokojë vetëm armën, të cilën Tatari, person i padënuar më parë e mbante pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›