Beja: Së shpejti ligj për Gjykatën e Lartë
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, gjatë një konference për shtyp deklaroi se tashmë ka nisur puna në lidhje me shqyrtimin e dekreteve që priten të vijnë nga Presidenti i Republikës. “Ne e kemi filluar punën për rregulloren, kemi vënë kontaktet me ekspertët, krahas meritës, kritereve, afateve që po diskutohen janë të domosdoshme edhe kushtet e realizimit të konsultimeve. Duhet të keni parasysh që në rastin konkret jemi në një situatë që duhet të jemi operativë mes institucionit të Presidencës dhe institucionit të Parlamentit dhe pavarësisht atyre ndryshimeve që do të vihen në rregullore, duhet të kemi angazhimin maksimal që t’u përgjigjemi nevojave të një përzgjedhjeje sa më cilësore në interes të publikut dhe çështjeve që kanë të bëjnë pastaj jo vetëm me Gjykatën e Lartë, por edhe me institucionet e tjera të bazuara me ligj. Kjo shikohet kur flitet për ndryshimet në ligj, pasi Parlamenti ka rregulloren e vet, por rregullorja e Parlamentit nuk është detyruese për Presidentin”, - tha Beja. Më tej kreu i Komisionit të Ligjeve tha se duhet të miratohet një ligj i veçantë për mënyrën e organizimit të Gjykatës së Lartë. Sipas Bejës, duhet të rregullohen disa aspekte ligjore në lidhje me mandatet e anëtarëve të kësaj gjykate. “Kështu që mendoj se disa afate është mirë që të rregullohen tek ligji në mënyrë që të mos ndodhë që të mbarojë një mandat në janar dhe të jetë i plotësuar ende. Kjo s’do të thotë që me vonesat që bëhen të bëhet një punë shkel e shko dhe pastaj të emërojmë një sasi jo të vogël gjyqtarësh që kanë mandat 9-vjeçar dhe ky është mandati më i lartë që jepet në Shqipëri. Asnjë institucion tjetër nuk ka mandat kaq të lartë dhe ky është një afat jo i saktë ndaj është një çështje që meriton ditë”, - tha Beja.